Drejtori i Përgjithshëm i informacionit dhe programacionit në News24, Robert Rakipllari deklaroi se maxhoranca po i bën vet rregullat e lojës për çështjen e koalicioneve dhe listave, të cilët sipas tij afektojnë marrëveshjen e 5 qershorit të arritur në këshillin politik.

Teksa debatoi në studion e emisionit ‘Real Story’ në ‘News24’ me kreun e grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla, Rakipllari tha se reforma zgjedhore ka disa vjet që iniciohet por ndërkohë pasi është bërë dhe marrëveshje maxhoranca ndërmerr këto ndryshime.

“Nuk është e thjeshtë kjo çështja e ndryshimit. Taulanti është një avokat i mirë e asaj që po bën partia e tij. Reforma zgjedhore ka 3-4 vjet që iniciohet. Pasi opozita bëri atë që bëri, faktori ndërkombëtar e ka vendosur si një nga kushtet për hapjen e negociatave. Jo vetëm BE por edhe aleatët amerikanë kanë thënë që PD-së i japim mundësi për dialog. Pra logjika është me zgjatur se aq. Në janar u krijua këshilli politik, që të bëjë një dialog që të bëjë një reformë zgjedhore, rregullat e lojës. Kjo ka ndodhur që opozitës që është jashtë parlamentit t’i jepet një mundësi të jetë aktore sepse ajo kishte pretendime për zgjedhjet e 2017. Ky këshill politik u mblodh, maxhoranca e pranoi, këshilli politik tresh madje. U diskutua që një reformë konsensuale zgjedhore ishte një nga kushtet për hapjen e negociatave. Kësaj opozite i janë dhënë çelësat për hapjen e negociatave. Ju pranuat këshillin politik. Opozitës parlamentare iu dha vendi në këshillin politik. Pas diskutimeve që pati, erdhi një rezultat më 5 qershor, Shqipëria kryesisht për shkak të këtij fakti hapi negociatat, pasi kjo u firmos. Kemi dy momente, këtë marrëveshje dhe Waderphul ta tha që afekton procesin e integrimit. Më thoni kur njëra palë i ka bërë rregullat e lojës në mënyrë të njëanshme?”, tha Rakipllari.

Ndërkohë, nga ana e tij Balla pohoi se komisioni i Ligjeve do të miratojë këtë marrëveshje fjalë për fjalë, ashtu siç u dakordësua. Po ashti Balla tha se në 30 korrik miratohen ndryshimet e domosdoshme në kodin zgjedhor dhe se maxhoranca i ka tashmë votat.

Balla: Unë kam përpara dhe dua që të më lejosh që ta lexoj, pasi kam qenë në Bundestag në 25 shtator për fillimin e bisedimeve për anëtarësim të Shqipërisë në BE. Kusht që duhet të plotësojë Shqipëria në konferencën e parë, është miratimi i reformës në parlament.

Rakipllari: Po pse i bëtë këto ndryshime? Apo ju erdhi keq për opozitën? Për PD?

Balla: Këshilli Politik ishte formësuar më parë dhe Kuvendi i kishte dhënë të drejtën e vetos dhe opozitës jashtë parlamentare. Ishte ide e jona që të merrte pjesë në këtë tryezë. Në 30 korrik miratohen ndryshimet e domosdoshme në kodin zgjedhor. Shpresoj që deputetët e opozitës parlamentare të kuptojnë rëndësinë e miratimit të kësaj marrëveshjeje siç është. Përgjegjësia e procesit të numrit është shumë herë më e madhe. Do të shtohet koha në dispozicion e numërimit. Unë i bëj thirrje PD që mos të na e bëjmë si herët e tjera, pasi nuk plotëson numrin e numëruesve në qendrat e numërimit. Shpresoj që këtë herë t’i marrë masat në kohë. Nuk ka thënë askush, as Bundestagu, as BE që marrëveshja është reforma zgjedhore. Ambasadorja Yuri Kim është me e qarta. Ajo thotë; marrëveshja e 5 qershorit të kodifikohet dhe të vendoset në ligj pa ndryshim. Porosia ime si kryetar grupi, ju lutem mos të ketë asnjë ndërhyrje mbi atë që është e shkruar. Ai do të miratohet siç është rënë dakord. Dhe të hënën apo të martën kur e ka parashikuar komisioni i ligjeve, marrëveshja do të miratohet fjalë për fjalë siç është dakordsuar. Maxhoranca do të ketë të gjitha votat e veta në seancën e Kuvendit. Kanë ngelur dy seanca.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: