Ditën e sotme Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi vendosi përfundimisht mos regjistrimin e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 14 majit.

Lidhur me këtë vendim, mbledhja u shoqërua me debate e kritika nga përfaqësuesi ligjor i grupit të Alibeaj. Ndërkohë Celibashi i qëndroi deklaratës së tij, duke thënë se nuk ka asgjë personale me PD, por sipas tij ka mungesë dokumentacione.

Ai shtoi se i dha mundësinë përfaqësuesve ligjorë të PD-së që të plotësonin dokumentacionin e kërkuar, ndërsa shtoi se PD si parti politike nuk e ka humbur afatin për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor ose nëse do marrë pjesë në koalicion.

Pjesa nga diskutimi:

Pyetje: Në komunikimet më parë e keni vlerësuar PD-në si të rëndësishme. Në kushtet kur KQZ dhe vite më parë ka mbyllur një sy jo në shkelje të ligjit, por ka anashkaluar disa, po në këtë rast a mund të anashkalohej firma e kryetarit?

Celibashi: Nuk kam asnjë gjë personale me PD-në, në raportin personal kam shumë miq nga PD si edhe nga partitë e tjera. Kam pasur gjithë angazhimin për këtë çështje. Për Bashën nuk ka asnjë obligim ligjor për të paraqitur deklaratën e dorëheqjes. Vetëm kështu do fitonin legjitimitetin organet e PD-së për t’u sjellë si kryetar i PD-së. Prandaj u dhashë 48 orë kohë dhe isha i gatshëm t’u jepja më shumë kohë, nuk e donin dhe nuk e kuptoj kush është kokëforti në këtë mes.

Pyetje: Nëse do dorëzohej brenda 48 orëve kërkesa për njohjen e largimit të Bashës, a do ishte pranuar regjistrimi i PD-së?

Celibashi: Nëse do bëhej kjo procedurë, dhe gjykata jam i sigurt që do e pranonte aktin që Alibeaj është caktuar të përfaqësojë në cilësinë e kryetarit PD-në. Isha i gatshëm t’u jepja më shumë kohë por nuk pranuan.

Pyetje: Nëse nesër depozitohet në KQZ një koalicion me një emër të përafërt të PD-së, a do pranohet?

Celibashi: Këtë nuk mund ta them tani, përgjigja do vijë nëse vjen kjo situatë. PD si parti politike nuk e ka humbur afatin për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor ose nëse do marrë pjesë në koalicion. Të themi qëlloi që për një parti procesi i regjistrimit merr kohë, por në finale nëse rezulton se ka legjitimitetin për t’u regjistruar do regjistrohet.

***

Sefa: Duhet të shqyrtohen çështje të veçanta. Çdo dokumentacion do të jetë pjesë e dosjes që lidhet me këtë shqyrtim.

Celibashi: Ne shqyrtojmë kërkesën e PD për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor dhe vendimmarrja do jetë mbi këtë kërkesë. Jeni ju që po thoni se ka dy kërkesa, unë këtë jam duke shqyrtuar.

Sefa: Në këtë vendim ka dy kërkues, nëse legjitimoni kërkues të tjerë është problematikë e juaja. Kërkues është vetëm një dhe është PD. Në kërkesën e depozituar nga PD duhet të jetë vetëm një kërkues.

Celibashi: Keni argumente të tjera në mbështetje të kërkesës për të regjistruar PD si subjekt zgjedhor në zgjedhjet e 14 majit, nëse jo e mbyllim këtu.

Sefa: Provat e paraqitura janë të plota. Nuk ka asnjë provë tjetër. PD s’ka ndërmend të sjellë prova nga ato që kërkoni ju si komisioner, por është në zbatim të ligjit. Autogolin ma lini mua ta bëj. Unë dua të di numrin e kërkesës që po shqyrtohet në këtë moment.

Celibashi: Po shqyrtojmë kërkesën  e PD si subjekt zgjedhor që e ka bërë pala juaj dhe pala tjetër. Në përfundim vendosim regjistrimin ose mos-regjistrimin e një partie politike.

Sefa: Më tregoni numrin e kërkesës dhe datën e depozitimit të saj. Kërkoj të shqyrtoni kërkesën e depozituar nga PD.

Celibashi: Atë po shqyrtoj.

Sefa: Ku e di ti se kush është PD? Me atë logjikë që thoni ju të gjitha partitë dalin me një vendim. Merrni vendim vetëm mbi kërkesën e PD së Shqipërisë. Çdo kërkim tjetër të dalë me kërkim të veçantë.

Celibashi: Ajo që ju kërkoni nuk ka sens ligjor.

***

Më herët gazetari Ergys Gjençaj ka zbuluar se çfarë pritet të ndodhë sot. Ai tregoi se komisioneri Ilirjan Celibashi mund të vendosë për regjistrimin e grupimit të Alibeajt në zgjedhje ose jo, ndërsa zbuloi se kërkesa e tij për plotësim dokumentacioni nuk është përmbushur nga ana e këtij grupimi.

Sipas tij nëse KQZ do vendosë kundër regjistrimit të këtij grupimi në zgjedhjet vendore të 14 majit, vendimi mund të apelohet në KAS nëse do jetë i formës së prerë, duke e lënë sërish të hapur këtë çështje.

Në një mbledhje KAS e rrëzoi ankimimin duke e kthyer sërish në tavolinën e Celibashit çështjen me argumentin se nuk mund të shqyrtonte këtë rast.

“Komisioneri Celibashi mund të vendosë për regjistrimin e grupimit të Alibeajt, ose jo. Pasi Celibashi tha se kërkoheshin dokumente të tjera, ky grupim tha se nuk do depozitohet asnjë dokument shtesë. Celibashi mund të marrë vendimin për mos regjistrimin e Alibeajt në zgjedhje, edhe pse ky vendim mund të ankimohet më pas në KAS nëse do jetë i formës së prerë”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb