Zbardhet një tjetër diskutim brenda mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së.

Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula iu është përgjigjur anëtarëve të Grupit të Rithemelimit, ndërsa iu është drejtuar atyre se kërkojnë që t’i marrin të gjitha.

Burime për BalkanWeb bënë me dije se Sula ka pohuar se duhet votim në grup për të vendosur nëse duhet të rikthehen apo jo deputetët e përjashtuar nga PD-ja. Mes të tjerash ai bëri thirrje që PD të tërhiqet nga Apeli për Kuvendin e 11 dhjetorit.

“Ju (i drejtohet deputetëve që mbështesin ish-kryeministrin Berisha) kërkoni t’i merrni të gjitha, por të gjitha nuk mund t’i merrni dot. Duhet të ketë kompromis mes palëve. Ne kemi dalë nga një “luftë civile” dhe për këtë duhet marrëveshje. Propozimi im është ky: grupi parlamentar të shprehet me votë për të rikthyer deputetët e përjashtuar sepse jemi në një situatë të re politike. Nëse grupi parlamentar vendos që deputetët e përjashtuar do të rikthehen, këtu s’ka më diskutim pastaj.
Në të njëjtën kohë propozoj që Kuvendi Kombëtar i thirrur në 30 Prill të shtyhet për pas 90 ditësh. Gjatë këtyre 90 ditëve të bëhen zgjedhje gjithëpërfshirëse në seksione, grupseksione dhe degë. Pasi të ketë mbaruar votimi në këto struktura të thirret Kuvendi për të zgjedhur strukturat drejtuese të PD-së.

Ju thoni që Basha iku dhe i mori të gjitha me vete. Pra meqë ishin gabimet e tij, jemi në një situatë të re politike e për këtë duhet një marrëveshje.
Propozoj gjithashtu që PD-ja të tërhiqet nga apelimi që ka bërë në gjykatë për vendimin për njohjen e 11 Dhjetorit, për ti hapur pikërisht rrugë kësaj marrëveshjeje.”, u shpreh Sula para deputetëve demokratë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb