Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat kanë qenë të panjohura për 40 vite me radhë dhe shohin për herë të parë dritën e botimit, ku ndodhet një dosje voluminoze me materiale sekrete e dokumente që i përkasin muajt tetor të vitit 1982, ku është pasqyruar materiali i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së me titull “Mbi mungesën e theksuar të vigjilencës dhe gabimet e rënda të shokut Kadri Hazbiu në kohën që ishte ministër i Brendshëm”, autokritika me shkrim e Kadri Hazbiut, “Vendimi i Plenumit të V-të të Komitetit Qendror të PPSh-së mbi përjashtimin nga Komiteti Qendror e nga Partia si dhe shkarkimi nga të gjitha funksionet shtetërore dhe shoqërore të Kadri Hazbit”, si dhe proces-verbali i Plenumit të Komitetit Qendror të mbajtur në datat 13 e 14 tetor të vitit 1982 në sallën kryesore të godinës së Komitetit Qendror, ku është diskutuar dhe është marrë në analizë puna dhe veprimtaria e ministrit të Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiu, i cili akuzohet për “veprimtaria armiqësore” e tij për periudhën gati 30 vjeçare kur ai shërbente në funksionin e ministrit të Punëve të Brendshme.

Dosja e plotë e me të gjitha dokumentet që botohet për herë të parë nga Memorie.al, ku përveç materialit “Tepër sekret”, të Byrosë Politike me akuza ndaj ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, publikohet edhe proces-verbali i Plenumit, ku Enver Hoxha dhe pjesa më e madhe anëtarëve të Byrosë Politike si: Ramiz Alia, Adil Çarçani, Foto Çami, Hekuran Isai, Manush Myftiu, Simon Stefani, Haki Toska, Pali Miska, Prokop Murra, Spiro Koleka, Rita Marko, Lenka Çuko, Muho Asllani, Llambi Gegprifti, Vangjel Çerava, dhe Komitetit Qendror të PPSh-së, si; Nexhmije Hoxha, Gafur Çuçi, Xhelil Gjoni, Pilo Peristeri, Sofo Lazri, Piro Kondi, Petro Dode, Behar Shtylla, Shefqet Peçi, Qemal Bregasi, Dritëro Agolli, Mine Guri, Themie Thomai, Mehmet Elezi, Lumturi Rexha, Tefta Cami, Vito Kapo, Harrilla Papajorgji, Anastas Kondo, Miti Nito, Sulejman Baholli, Halil Leli, Jashar Menzelxhiu, Enver Halili, Ali Vukatana, Tahir Minxhozi, Naunka Bozo, Luan Muhameti, Rexhep Kolli, Ndreçi Plasari, Sofie Çuadari, Nezir Gorica, etj., jo vetëm kanë akuzuar ish-ministrin Hazbiu, si bashkëpunëtorin me të ngushtë të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, por edhe kanë debatuar ashpër me të gjatë gjithë mbledhjes së plenumit që zgjati dy ditë, duke i kërkuar atij që të jepte shpjegime për punën dhe veprimtarinë e tij që nga dita që ishte ulur në zyrën e ministrit, duke filluar nga marrëdhëniet e raportet me këshilltarët rusë, Konferencën e Tiranës në 1956-ën, e deri tek “bashkëpunimi i tij me grupet armiqësore” të kryesuara nga Teme Sejko, Beqir Balluku, Abdyl Këllezi dhe “poli-agjenti” Mehmet Shehu, si dhe vendimet shkarkimet nga detyrat dhe për përjashtimin nga Komiteti Qendror të Rexhep Kollit, Nazar Berberit, Veli Llakajt, Ndreçi Plasarit, etj.

Pjesa e nëntë

Proçes-verbali ‘Tepër sekret’ i mbledhjes së Plenumit të V-të të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më 13 dhe 14 tetor të vitit 1982

PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË

KOMITETI QENDROR Tepër sekret

-Sektori i Përgjithshëm-

PROCES-VERBAL I MBLEDHJES SË PLENUMIT TË 5-TË TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH MË 13 DHE 14 TETOR 1982

SHOKU ENVER HOXHA: Mirë, dakord. Ulu aty, pastaj i thuaj. Ti Kadri vazhdo.

KADRI HAZBIU: Po ja, shoku Enver, ç’të them unë tani. Lidhur me atë çështje që thotë shoku Hekuran, unë e kam ngritur, le të verifikohet si qëndron.

SHOKU ENVER HOXHA: Ato do t’i verifikojmë se ka shumë gjëra atje.

KADRI HAZBIU: Dakord, aq sa të ketë, shoku Enver. Unë s’kam pse të diskutoj.

SHOKU ENVER HOXHA: Nuk pret puna sa të bëhet verifikimi për këto gjëra, ai do kohë.

KADRI HAZBIU: Po dhe unë nuk e mbaj mend, e kam ngritur si problem për ta parë.

SHOKU ENVER HOXHA: Epo ë, ta shikojmë.

KADRI HAZBIU: Për t’i sqaruar gjërat është mirë të ngrihen ashtu siç janë. Pse nuk kam thënë që të tërë këta njerëz që dënoheshin me vdekje, janë ekzekutuar sipas legjendës. Ata ekzekutoheshin sipas rregullave, po në dy raste që janë ekzekutuar në funksion të legjendës, unë ia kam thënë shokut Hekuran dhe ai le t’i verifikojë. Tjetër?

SHOKU ENVER HOXHA: Tjetër, ja atë që të thashë unë.

KADRI HAZBIU: Në Kamëz, thotë shoku Behar, kam folur me zjarr pro Koçi Xoxes. Mbase janë proces-verbalet. Unë në Kamëz kam folur, kam ngritur diçka kundër Mehmet Shehut, me sa më kujtohet, si i kam gjykuar në atë kohë, po më tej unë nuk di të them që paskam folur me zjarr për Koçi Xoxen. Është një gjë që nuk e mbaj mend, i thonë që në vitin 1948.

SHOKU QIRIAKO MIHALI: Po të tjerat si i mban mend ti, kurse këto që janë gjëra me rëndësi nuk i mban mend?

KADRI HAZBIU: Të lutem, po dale, more shokë. Unë mbaj mend që kam folur, kam thënë diçka kundër Mehmet Shehut, e kam konsideruar atë në atë kohë si karrierist. Çfarë kam thënë tjetër nuk e di.

SHOKU SOTIR KOÇOLLARI: Pse këtë që ke thënë për Mehmet Shehun e mban mend dhe ç’ke thënë për Koçi Xoxen nuk e mban mend?

KADRI HAZBIU: E mbaj mend për arsye se më është fiksuar, po për Koçi Xoxen unë nuk kam folur. Unë atëherë kam folur pro.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Po për plenumin e 8-të të Komitetit Qendror për jugosllavët, për Koçi Xoxen çfarë ke thënë?

KADRI HAZBIU: Dhe mund të jetë folur. Unë në atë kohë kam ardhur nga Bashkimi Sovjetik, se kam qenë në shkollë. Sa kam ardhur kemi vajtur në aktivin e Kamzës. Çfarë keni? Jam ngritur atje pesë apo dhjetë minuta dhe jam solidarizuar me atë mendim. Ja kjo është.

SHOQJA THIMIE THOMAI: Nga sa kam vënë re unë kur bëheshin mbledhjet e Qeverisë dhe kishte probleme e ndërhyrje dhe siç e kishte Mehmet Shehu, me turfullimë të madhe përgjigjej kur i ngrije ndonjë problem që atij s’ja kishte qejfi, vërsulej, në kishte njeri që e qetësonte, ishte Kadri Hazbiu.

Sa i ndërhynte ky, Mehmet Shehu qetësohej dhe vazhdimisht i referohej diskutimit të Kadriut, duke thënë: “siç e tha Kadriu”, “kishte diskutim shumë të mirë Kadriu” etj., dhe kështu ai zinte një vend të rëndësishëm në mbledhjet e qeverisë.

Prandaj është e çuditshme kjo që thotë Kadriu “unë s’e dija, nuk mu dha” etj. Te ky njeri ne nuk kemi parë një njeri leshko, bile ky e mbante veten ministër mbi ministër. Kohët e fundit kur Komiteti Qendror dhe shoku Enver bëri kritikë të rreptë për metodën e punës dhe të drejtimit në organet ekonomike dhe shtetërore, Kadri Hazbiu doli si fitimtar, që kishte një nga metodat më revolucionare dhe thirri ministrat e u tha që duhet të jemi me partishmëri, t’i zbërthejmë direktivat e Partisë, sikur këto vetëm ky i bënte. Po në fakt ky bënte të kundërtën!!

KADRI HAZBIU: Po, po, më fal.

SHOQJA THIMIE THOMAI: A, mos më ndërpre.

KADRI HAZBIU: Po s’e kam bërë vetë unë atë, moj.

SHOQJA THIMIE THOMAI: Nuk e di unë se si e ke bërë. E ke bërë ashtu siç thoshe në “autokritikë”, që: “mua më ka munguar puna ideo-politike”, ndërsa ti predikoje të kundërtën. Nuk është se ti ke qenë njeri leshko, ne këtë e kemi vërejtur.

SHOKU ENVER HOXHA: Këtë që thua tani ti, shoqja Thimie, e kam dëgjuar edhe nga shumë shokë të tjerë të qeverisë. Më kanë ardhur dhe më kanë folur për ndërhyrjet e korrigjimet që bënte Kadriu në mënyrë arrogante. Prandaj unë të kuptoj ty dhe të jap të drejtë.

SHOQJA THIMIE THOMAI: Dhe një gjë tjetër më ka bërë përshtypje: Kur diskutohej Kodi Penal, natyrisht si e gjykojmë tani, se ne atëherë nuk e dinim që Mehmet Shehu ishte një spiun dhe një armik i betuar i Partisë dhe i popullit, por kur erdhi puna që bëhej fjalë për dënimet, u hodh Mehmeti dhe tha kështu: “po nuk do të kemi gjithnjë ministër të Brendshëm, Kadri Hazbiun”.

KADRI HAZBIU: Si?

SHOQJA THIMIE THOMAI: Ja kështu, kur erdhi puna që po diskutohej për nenin që kishte të bënte me dënimet, me përdorimin e dhunës, nuk më kujtohet mirë për cilin nen bëhej fjalë, se dhe nuk e njoh mirë Kodin Penal, po më kujtohet që ti Kadri bëre një vërejtje dhe Mehmet Shehu, u hodh dhe tha: “Nuk do të kemi gjithnjë ministër të Brendshëm me partishmëri siç është Kadri Hazbiu”!

SHOKU ENVER HOXHA: Desh të thosh që do të vijë dhe ndonjë tjetër, se Kadriu do të shkojë gjetkë.

SHOQJA THIMIE THOMAI: Lind pyetja: si është e mundur që duke qenë për 30 vjet ministër i Punëve të Brendshme nuk kish kuptuar asgjë nga veprimtaria e këtyre armiqve!? Ne e kemi parë Kadriun si njeriun që mund ta qetësonte Mehmet Shehun; po t’i thoshte ky një mendim, Mehmet Shehu ishte dakord dhe menjëherë qetësohej, se po të ishte për të tjerët…!

SHOKU ENVER HOXHA: Në lidhje me atë që tha shoku Rexhep Kolli, dëshiroj të di nëse ka në arkiv, në dosjet e të dënuarve një dokument nga njëfarë Vango Mitrojorgji, ku thotë: “Neve kemi bërë gabime dhe krime, po në qoftë se ka bërë gabime dhe krime është Mehmet Shehu, Fiqrete Shehu”, zë në gojë dhe Kadri Hazbiun. Tani, ti Kadri përgjigju pyetjeve të shokut Xhelil, se e shoh që nuk rri rehat.

KADRI HAZBIU: Po, dakord. Ç’do të ndodhte sikur të mos zbuloheshin këta, thotë shoku Xhelil. Unë them se do të ndodhte katastrofë. Do të kthehej Shqipëria në kapitalizëm. A është kjo përgjegjësi e vogël për mua? Jo, është shumë e rëndë.

SHOKU ENVER HALILI: Të supozojmë se Mehmet Shehu dhe armiq të tjerë do ta bënin puçin kundër Partisë. Ne e kemi të qartë që populli dhe udhëheqja e Partisë do ta shtypte, po çfarë do të të thoshte Partia ty? Ç’do t’i thoshe ti Partisë dhe ç’do të thoshte Partia dhe populli për ty?

SHOKU ENVER HOXHA: Ti ishe ministër i Punëve të Brendshme.

SHOKU ENVER HALILI: Këtu kemi të bëjmë, sipas “autokritikës” tënde, me një gabim ideologjik, apo kemi të bëjmë me një gabim e faj penal, bile në rrethana shumë rënduese?

SHOKU ENVER HOXHA: Qartë. Të përgjigjet.

KADRI HAZBIU: Po të ndodhte, unë do ta paguaja me kokën time.

SHOKU ENVER HOXHA: Ashtu?!

KADRI HAZBIU: Unë këtë di të them, sepse do isha kundër tyre.

SHOKËT: Ajo s’dihet.

KADRI HAZBIU: Mirë, unë them siç e gjykoj, kështu e gjykoj unë.

SHOKU PALI MISKA: Ajo s’dihet si janë faktet?

KADRI HAZBIU: Po mirë, s’ka fakte, fakte s’ka. Unë them se po të ndodhte ajo, do ta paguaja me kokën time.

SHOKU HEKURAN ISAI: Do të bënte një diskutim të zjarrtë kundër puçit!!

KADRI HAZBIU: Unë nuk jam shumë i shkathët për diskutime, shoku Hekuran (të qeshura).

(Të gjithë shokët e plenumit në një kohë e kundërshtojnë duke thënë: Ti je shumë i shkathët).

KADRI HAZBIU: Mirë, faleminderit për vlerësimin. Çfarë të them unë?!

(Çohet Shefqet Peçi. Fol Shefqet të të dëgjojmë dhe ne, – i thotë shoku Enver).

SHOKU SHEFQET PEÇI: Je i shkathët ti, sa s’ka njeri tjetër! (të qeshura). Je i zgjuar ti sa s’ka njeri tjetër. Meqë u ngrita po e them mendimin tim: Kur ishin gradat, Feçor Shehun ky e ka graduar kaq herë jashtë rregullave. Po të ishin gradat në fuqi akoma, Feçori do të qe bërë marshall (të qeshura).

Për Feçorin, Kadriu kishte simpatinë më të madhe, e ka nderuar, e ka dashur, e ka përkrahur shumë, prandaj si nuk i paska ditur ky qëndrimet e Feçorit? Nuk i shkon as miza Kadriut dhe jo të mos dijë ai gjë për këtë. Nuk është e mundur që ai, duke qenë Ministër i Brendshëm për 30 vjet rresht, të mos i dinte këto!! Është e pamundur!! Ai duhet të thotë hapur se mori fund kjo punë.

SHOKU ENVER HOXHA: Ashtu, atë kërkojmë, të flasë hapur.

SHOKU SHEFQET PEÇI: Mori fund kjo punë, po populli ka folur që kur vrau veten Mehmet Shehu e ka thënë: po Kadri Hazbiu? Se Kadri Hazbiu ishte brenda me Mehmet Shehun. Mehmet Shehu nuk mund të punonte asnjë çap pa Kadri Hazbinë. Hajde pastaj fol! (të qeshura).

SHOKU PETRO DODE: Si është puna që ky nuk paska lexuar dhe nuk paska informuar për Konferencën e Tiranës, për Hulusi Spahiun e për ato të tjerat, për të cilat flitet në materialin që lexuam!? Po ky aq me zell lexonte çdo informacion dhe bile kur s’i jepej informacion, ai do bënte vërejtje, do bënte kritika.

Domethënë bënte vërejtje në të tjera që nuk kishin të bënin me të dhe nuk ka dijeni për ato që lidheshin drejtpërdrejt me të?! Po ato diskutimet në qeveri me Mehmet Shehun që edhe për ofendimet, edhe për gjëra të tjera, ai ishte dakord dhe pastaj i hidhte në tallje, kurse për këto thotë: “nuk i ka parë”.

SHOKU ENVER HOXHA: Po pse ore ti, Kadri, këta shokët gënjejnë? Shpifin? Pse nuk flet hapët, siç të tha shoku Shefqet Peçi? Thuaja Partisë hapët.

KADRI HAZBIU: Po çfarë të them unë, shoku Enver, çfarë të them?

SHOKU ENVER HOXHA: Ti e di çfarë të thuash, të flasësh hapur.

KADRI HAZBIU: Të them që jam armik?

SHOKU ENVER HOXHA: Epo këta shokët gënjejnë që flasin për ty?

KADRI HAZBIU: Po unë çfarë të them?

SHOKU RAQI IFTICA: Ja çfarë të thotë, shoku Enver: pse për të hetuar komplote të tilla si ai i Beqir Ballukut vuri në krye njerëz edepsëzë dhe imoralë? Këtë të thotë.

KADRI HAZBIU: Mirë, dakord.

SHOKU RAQI IFTICA: Ashtu. Pse i vuri këta njerëz, nuk i dinte se çfarë njerëzish ishin?

KADRI HAZBIU: Po cilët ishin këta imoralë?

SHOKU RAQI IFTICA: Për Rustem Hodon e Kristofor Martirin e kam fjalën.

SHOQJA TEFTA CAMI: Kemi marrë vesh që Feçor Shehu ka qenë një ndër xoxistët më të ndyrë në rrethin e Dibrës, që ka vepruar në mënyrë shumë-shumë të shëmtuar. Lind pyetja: si ky nuk e dinte këtë po e mori Feçorin për ta vendosur në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme?

KADRI HAZBIU: Për cilin?

SHOQJA TEFTA CAMI: Për Feçor Shehun, që ka qenë një ndër xoxistët më të ndyrë.

KADRI HAZBIU: Ëhë. /Memorie.al

Vijon numrin e ardhshëm

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb