Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, i ftuar në emisionin “Frontline” në News24 me gazetaren Marsela Karapanço, ka folur në lidhje me zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Ai e ka quajtur një proces të tillë një estradë të neveritshme, pasi çdo qytetar sipas tij nëse lexon Kushtetutën kupton se e drejta për të propozuar emra është e parashikuar në Kushtetutë, mjafton të plotësohen 20 firmat.

“Është më pak se një estradë e neveritshme të përcjellësh në publik faktin që opozita ka të drejtë të propozojë. Për shkak të kapjes bihet në këto nivele. Çdo qytetar që lexon Kushtetutën kupton propozimin e emrave dhe 20 firmat.

Kushdo që është i sinqertë e di që pas 5 qershorit është shuar çdo iluzion dhe i bëjnë shërbim Ramës debilat e dobishëm që ulen në tavolinë.

Opozita e vërtetë ka fuqinë e të vendosurit në parim që është ajo që duan qytetarët, jo opozitë që bën pazare. Opozita dhe populli janë të bashkuar në këtë gjë. Por ka pazarxhinj që ndajnë miliona e miliarda tenderash e inceneratorësh.

Ka një pjesë shumë të errët që ka gjetur një strehë të madhe në mazhorancë dhe peshkon kudo karaktere të dobëta, që unë i quajta në thonjëza “debilat e dobishëm”.

Unë nuk jam formuar në shkenca që bën fjalë por në shkenca të sakta. Rezultati është një: Në fund të tollovisë me erë para inceneratorësh do zgjidhet ai që do Rama. Në politikë nuk mbahen mend llafet e dëngla por rezultati. Rripi i pantallonave të Ramës do të jetë në Presidencë. Do ta tërheqë e lirojë sa herë të dojë ai.

Në lidhje me marrëveshjen e djeshme, për mua është një pazar individësh që nuk ka lidhje me institucione partiake.

E kam thënë edhe dje. 17 maji polli këlyshin e vet më 18 maj.

Sa i përket emrave të prezantuar, jam më shumë i interesuar tek skema e inceneratorëve me emrat se si nga Rama nga Veliaj, Gjiknurin etj kanë grabitur miliona euro. Kjo ma tërheq vëmendjen për interesin publik.
Një paliaçadë e tillë do të mbarojë me emërimin e dikujt me 74 votat e Ramës.

Që në 2018 ky proces me shumicë të thjeshtë u kompromentua. Impononte një figurë mbi palët por tani u kthye në një instrument në duart e mazhorancës së radhës.

Do kisha interes nëse do të kandidonin Klodian Zoton, Endrit Mertirin dhe Stela Gugallin. Sepse me para inceneratorësh është blerë procesi.

Pjesëmarrja në proces për zgjedhjen e presidentit do të thotë të jesh pjesëmarrës me votë. në këtë kuptim ne do të jemi pjesë e procesit”, është shprehur ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb