TIRANE

Irani fajëson Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin për dëbimin e ambasadorit të Iranit në Tiranë si dhe një zyrtari tjetër të akuzuar për përfshirje në veprimtari kriminale që kërcënuan sigurinë e Shqipërisë.

Agjencia zyrtare e lajmeve IRNA citoi zëdhënësin e Ministrisë së Jashtme Bahram Ghasemi të thoshte se “Shqipëria është bërë një viktimë e paqëllimtë e Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe disa grupeve terroriste”.

Ai thotë se SHBA dhe Izraeli po punojnë për të shkatërruar marrëdhëniet midis Iranit dhe vendeve evropiane dhe se Shqipëria nuk duhet t’i lejojë të tjerët të diktojnë marrëdhëniet e saj me Teheranin.

Kujtojmë se shpallja ‘non grata’ e ambasadorit Republikës Islamike të Iranit në Tiranë Gholamhossein Mohammadnia si dhe një zyrtari tjetër të ambasadës u përshëndet nga Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, i Shteteve të Bashkuara të Amerikës John Bolton si dhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.

Presidenti amerikan, Donald Trump i dërgoi një letër kryeministrit Rama ku e falënderonte për vendimin e marrë.

“Udhëheqësia e treguar nga ju me dëbimin e Ambasadorit të Iranit nga vendi juaj është shembull i përpjekjeve tona të përbashkëta për t’i treguar qeverisë iraniane se veprimet e saj terroriste në Evropë dhe përreth botës do të kenë pasoja të rënda”- thuhej ndër të tjera në letrën e Trump.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb