Dëbimi i shtetasit turk Harun Çelik, i konsideruar si mbështetës i Gylenit, kundërshtarit më të madh të presidentit të Turqisë Erdogan, shkaktoi reagime të ashpra dhe ‘përplasje’ mes kampeve politike në vend. Lidhur me këtë çështje, deputetët opozitarë kanë kërkuar interpelancë me ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj, ndërsa ky i fundit dha sqarimet e tij.

Nga foltorja e Kuvendit Lleshaj pohoi se në rastin e shtetasit Çelik, janë ndjekur të gjitha procedurat ligjore, ndërsa nënvizoi faktin se mësuesi tuk nuk kishte kërkuar në asnjë moment azil politik në Shqipëri. Ai theksoi se dëbimi i qytetarit turk më 1 janar të këtij viti u bë pasi atij i mbaroi dënimi në vendin tonë për ‘falsifikim të pasaportës’. Po ashtu ministri tha se çështja e dëbimit të shtetasit turk nuk duhet të komentohet politikisht, pasi shtetasi turk firmosi vet urdhrin e dëbimit.

“Ka mijëra shqiptarë që dëbohen për të njëjtat arsye drejt Shqipërisë. Në 2018 janë dëbuar 9334 shqiptarë. 7180 shqiptar në 2019. Nga gjithë këto numra ju keni pasur fatin që të spikasni një shtetas turk. Do të ishte e rëndësishme që para se t’i japim statusin politik një qytetari turk, do ishte mirë që të kishit iniciuar një hetim administrativ atje. Përpara se të kërkoni që çështja të marrë dimension politik, duhet parë nëse ka pasur shkelje penale. Rasti është i tillë, qytetari turk me emrin Harun Çelik është ndaluar në Shqipëri në 8 korrik të 2019. Për arsye se është kapur në dalje të kufirit me një pasaportë kanadeze të falsifikuar. Qytetari turk nuk ka qenë rezident në Shqipëri asnjëherë. Ai ka hyrë njëherë në Shqipëri në 5 korrik dhe ka dalë prej saj pas disa orësh. Dhe ka hyrë sërish në 8 korrik, për t’u ndaluar më pas nga autoritetet në dalje të kufirit. Ky shtetas i gjetur në shkelje të ligjit, është proceduar penalisht dhe është dënuar nga gjykata e Tiranës ku është deklaruar fajtor për veprën penale ‘falsifikim i pasaportës’ ose i vizave. Dhe është dënuar me 13 muaj burgim dhe i është bërë ulja e dënimit me 1/3 dhe i është reduktuar në 8 muaj. Pas përfundimit të dënimi në 1 janar të 2020-ës është ndjekur procedura.

Është zbatuar ligji për të huajt; dëbim i të huajve nga autoriteti përgjegjës është masë administrative, ku rezulton se i huaj ka hyrë në mënyrë të paligjshme drejt Shqipërisë dhe ka të dhëna që do të kalojë ilegalisht ndaj vendeve të treta. Nuk jemi në kushte të tjera. Në Shqipëri janë rreth 2 mijë qytetar turq që kanë leje qëndrim. Ky është një qytetar që kaloi në mënyrë të paligjshme. Masa të tilla penale merren ndaj kujtdo që ka vepër penale. Ndaj u nxor urdhri i dëbimit; ekzekutohet menjëherë nëse prania e tij përbën rrezik për sigurinë publike. Largimi i tij është bërë menjëherë, pasi është pajisur me dokumente. Qytetari në fjalë nuk ka aplikuar asnjëherë për azil politik në Shqipëri. Gjatë intervistimit, dhe i pyetur nëse ai kishte depozituar kërkesë ai është përgjigjur se nuk ka kërkuar azil. Pasi kishte planifikuar që të aplikonte kur të vinte në një vend tjetër. Ai ka nënshkruar urdhrin e dëbimit. Kjo e mbyll çdo diskutim. Dëbimi i tij është bërë nga autoritetet përkatëse të policisë, për në aeroportin e Rinasit deri në momentin kur ai është imbarkuar në avionin e linjës ‘Turkish Arlines’. Ky rast provon qartësisht se veprimet e Policisë së Shtetit kanë qenë konform ligjit. Këtij shtetasi i janë ofruar të drejtat që parashikon legjislacioni i Shqipërisë. Dua të garantoj se ministria e Brendshme, policia, do të vijojnë të jenë në krye të detyrës për të përmbushur detyrimet kushtetuese.”, tha Lleshaj.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb