NGA ORNELA MANJANI

TIRANE- Bizneset që nuk paguajnë detyrimet fiskale do të përballen me masa shtrënguese, të cilat shkojnë deri në sekuestrimin me forcë të xhiros ditore. Në nenin 11 të projektligjit, që është depozituar në Kuvend, propozohet një masë e re shtrënguese e mbledhjes së borxheve tatimore. Në pikën 2 të nenit 89 përcaktohet se nëse tatimpaguesi nuk përdor të drejtën e ankimit dhe nuk paguan detyrimin tatimor, administrata tatimore duhet ta mbledhë tatimin, duke përdorur njërën ose disa prej mënyrave të parashikuara në këtë draft.

Sekuestrimi
Në këtë projektligj propozohet që në funksion të mbledhjes së detyrimit tatimor të papaguar të tatimpaguesit, administrata tatimore mund të angazhojë strukturat e saj për të verifikuar dhe monitoruar në vend aktivitetin tregtar të tatimpaguesit, me qëllim konfiskimin në fund të çdo dite të një shume jo më pak se 50% të qarkullimit të realizuar, por jo më shumë se detyrimi tatimor për të cilin ka filluar procedura e mbledhjes me forcë të detyrimeve tatimore, për llogari të detyrimeve tatimore të pashlyera të tatimpaguesit.

“Tatimpaguesi për të cilin administrata tatimore ka filluar mbledhjen me forcë të detyrimeve tatimore të papaguara, nuk mund të kryejë transferim të shumave të parave nga llogaria e tij apo të shesë\të transferojë aktivet ose kapitalet e shoqërisë, me përjashtim të rasteve kur nëpërmjet shitjes\transferimit të aktiveve synohet shlyerja në masën 100% e detyrimit tatimor të papaguar”, thuhet në projektligj. Sipas draftit, administrata tatimore mund t’i kërkojë palës së tretë të kryejë pagesën e drejtpërdrejtë të çdo shume që i detyrohet tatimpaguesit, brenda 30 ditëve kalendarike nga data e dërgimit të njoftimit kësaj pale të tretë”.

Propozohet të ndryshohet që administrata tatimore njëkohësisht me procedurat e tjera të përcaktuara, mund t’i kërkojë palës së tretë të kryejë pagesën e drejtpërdrejtë të çdo shume, që kjo palë i detyrohet tatimpaguesit, brenda 30 ditëve kalendarike nga data e dërgimit të njoftimit palës së tretë. Në rastin kur një tatimpagues ka detyrime tatimore të papaguara ndaj administratës tatimore dhe ndërkohë ka detyrime kontraktuale të pambledhura nga një palë e tretë, mospagesat e së cilës e kanë bërë tatimpaguesin të jetë në paaftësi paguese, propozohet që ndërsa administrata tatimore fillon tërësinë e procedurave të vjeljes me forcë të borxhit tatimor nga tatimpaguesit, ka të drejtë t’i kërkojë njëkohësisht palës së tretë (e cila i ka borxh tatimpaguesit) që të bëjë pagesën për tatimpaguesin.

Penalitetet
Ndërkohë që ka një njoftim vlerësimi nga administrata tatimore si dhe një afat të përcaktuar për pagesën e këtij detyrimi, në ligjin e procedurave mungon masa e penalitetit. Kjo situatë ka përbërë raste që tatimpaguesi të mos paguajë këstet e tatimit mbi fitimin apo tatimit të thjeshtuar mbi fitimin, ndërkohë që vetë tatimpaguesi është duke gjeneruar fitim. Ky propozim synon të standardizojë të gjitha bizneset, të cilat nuk i paguajnë në afat këstet e tatimit mbi fitimin ose tatimit të thjeshtuar mbi fitimin. Masa e penalitetit propozohet 15%, aq sa edhe tatimi mbi fitimin.

Sipas projektligjit, për tatimpaguesit e regjistruar si subjekte të tatimit mbi vlerën e shtuar dhe tatimit mbi fitimin do jetë me gjobë prej 500 000 lekë dhe për tatimpaguesit e tjerë do jetë me gjobë prej 50 000 lekë. Për çdo konstatim të përsëritur të mosdeklarimit të punonjësve, pas aplikimit të masës së gjobës, shkelja konsiderohet evazion tatimor. Në ndryshimin e propozuar është standardizuar masa e gjobës në 500 mijë lekë për çdo punonjës të padeklaruar, pavarësisht se tatimpaguesi është subjekt i TVSH-së dhe tatim-fitimit apo jo. Kjo për arsye se shkelja tatimore – mosdeklarimi i punonjësit, shfrytëzimi i krahut të punës, duhet të dënohet njësoj.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb