TIRANË

Dëbohet gylenisti i parë nga Shqipëria. Një mësues turk, mbështetës i Fethullah Gylen, kundërshtarit më të madh të Presidentit të Turqisë Recep Tayip Erdogan është deportuar ditën e djeshme kundër dëshirës së tij.

Burime nga policia deklaruan për gazetaren Dorjana Bezat se 42-vjeçari Harun Çelik është deportuar në Turqi pas vuajtjes së dënimit në Shqipëri për veprën penale përdorim i dokumenteve të falsifikuara.

Para 6 muajsh ai ka tentuar të kalojë nga pika e kalimit kufitar të Rinasit me dokumente kanadeze. “Për këtë veprim ai është dënuar me 5 muaj burg. Pas përfundimit të dënimit ligji shqiptar parashikon që shtetasit e huaj të deportohen në vendin e tyre”, thanë burime nga policia për gazetaren Bezat, raporton “BalkanWeb”.

  • foto galeri
  • foto galeri

Kjo ka ndodhur edhe me shtetasin turkun, i cili sipas policisë shqiptare “nuk ka kërkuar azil” dhe është dëbuar nga policia e emigracionit. Ndërkohë që avokati i tij ka pretenduar se nuk kishte kohë të kërkonte azil.

Çelik, akuzohet nga autoritetet turke si pjesë e grupit të Fethullah Gylen dhe ndaj tij ka një proces penal në Turqi.

Kujtojmë se prej kohësh presidenti Erdogan ka nisur një gjueti shtrigash ndaj mbështetësve të Gylen që e akuzon edhe si personin përgjegjës për grushtin e shtetit më 15 dhe 16 korrik 2016 në Turqi ku humbën jetën qindra persona. Mbështetësit e lëvizjes gyleniste burgosen e dënohen si terroristë, dhe FETO konsiderohet organizatë terroriste.

Zyra e Kryeministrit Edi Rama e pyetur nga BIRN tha se “dënimi është një çështje procedurash ligjore që nuk ka lidhje me kryeministrin”.

Shqipëria i bashkohet në këtë mënyrë një numri të vogël shtetesh që i binden kërkesës së presidentit të Turqisë Recep Taip Erdogan për të dërguar në Turqi për përndjekje penale çdo person të lidhur me lëvizjen globale Gylen.

Në shkurt 2015, Kosova dëboi pesë shtetas të kërkuar nga Turqia duke shkaktuar zemërim ndërkombëtar dhe kritika të ashpra nga BE dhe SHBA për shkelje të procesit të rregullt ligjor dhe dhunim të të drejtave themelore të njeriut. Kryeministri Ramush Haradinaj në atë rast shkarkoi kreun e shërbimeve sekrete të vendit si dhe ministrin e Brendshëm duke pretenduar se nuk kishte pasur dijeni për dëbimin.

Eurodeputetja rumune Ramona Strugariu reagoi menjëherë duke kritikuar qeverinë shqiptare përmes një statusi në Twitter.

“Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, Shqipëria ka firmosur Konventën e Këshillit të Europës mbi ekstradimin. Për më shumë, ju thoni se Shqipëria është gati për në BE. Atëherë ju lutem respektoni nenin 19, pika 2 të Kartës Europiane për të Drejtat Themelore dhe mos e ekstradoni #HarunÇelik në Turqi!” shkroi ajo.

Neni në fjalë thotë: “Askush nuk mund të hiqet, përzihet ose ekstradohet drejt një Shteti ku ka rrezik serioz që ai apo ajo t’i nënshtrohet dënimit me vdekje, torturës apo trajtimeve të tjera çnjerëzore apo degraduese.”

Gülen që banon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kërkohet nga Turqia dhe disa herë autoritetet turke kanë kërkuar ekstradimin e tij nga SHBA.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb