Anësori spanjoll Bryan Zaragoza do të transferohet te Bayern Munich nga Granada për sezonin 2024/25. Lajmi është konfirmuar nga klubi gjerman të mërkurën, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale. Në një deklaratë, bavarezët tregojnë për detajet e kontratës. Zaragoza do të firmosë një marrëveshje pesëvjeçare deri më 30 qershor 2029.

Drejtori sportiv i Bayern Munichut, Christoph Freund, lavdëroi lojtarin, në një intervistë të dhënë. “Bryan Zaragoza është një anësor shpërthyes, shumë i shpejtë dhe jashtëzakonisht i shkathët, i cili mund të luajë në të dyja anët. Ai është i paparashikueshëm, mund të shënojë dhe është shumë i mirë  në lojën një kundër një”, tha Freund.

Futbollisti 22-vjeçar, shok skuadre me Myrto Uzuni deri më tani ka zhvilluar 51 paraqitje për Granadën, duke shënuar 10 gola dhe duke dhuruar tre asistime. Sulmuesi bëri debutimin e tij për ekipin kombëtar spanjoll në ndeshjen kualifikuese të UEFA EURO 2024 të tetorit 2023 kundër Skocisë.

 

(J.S/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb