Gabriel Jesus është gati për “Premier Ligën” duke nisur që nga kjo fundjavë. Braziliani i cili mbërriti ditën e martë në Manchester, pritet të shijojë minutat e para në sfidën kundër Totenham ditën e shtunë në “Etihad Stadium”. Edhe pse për kartonin e 19-të vjeçarit u paguan 35 mln euro, vetëm tani u bë e mundur vënia e tij në dispozicion të Guardiolës.

Jesus e kaloi pjesën e parë të sezonit në vendlindje, duke e ndihmuar ekipin e tij të fitojë titullin dhe tifozët e City kanë pritur për një kohë të gjatë “yllin” e fundit të prodhuar nga futbolli brazilian.

Pritja thuajse ka mbaruar, pasi Pep Guardiola, konfirmon se Jesus do të jetë mes lojtarëve të grumbulluar. “Ai është gati, ai është përfshirë si duhet me skuadrën, me ekipin, tha Guardiola.

“Eshtë një futbollist i ri, 19 vjeç, kështu që ne nuk mund të mendojmë se ai do të zgjidhë problemet tona, por kam bindjen se do të na ndihmojë në kampionat. Do të ishte më e lehtë, por të kishte ardhur në fillim të sezonit, me jo shumë seanca stërvitore në këmbë, megjithatë është një futbollist i zgjuar dhe cilësor.”

Tottenham duhet të ketë parasysh se bëhet fjalë për dikë që ka luajtur 6 ndeshjet e fundit në formacionin e Brazilit, duke shënuar 6 gola. Tottenham renditet në vendin e dytë të Premier League dhe shkon në këtë sfidë ndaj Manchester City, pas shtatë fitoreve radhazi në të gjitha veprimtaritë. Te londinezët do të mungojë mbrojtësi i dëmtuar Jan Vertonghen.

Te Manchester City do të luajë qendërsulmues Sergio Aguero, por nuk është çudi që argjentinasi të përfundojë në stol, pas disa kohësh, pikërisht prej pranisë së Jesus. “Kam darkuar me Aguero dhe faktikisht asnjë prej nesh nuk foli për ndërprerje bashkëpunimi. Përse duhet të ndikojë ardhja e Jesus për një futbollist që ka edhe dy vjet e gjysmë kontratë me ne.”

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb