TIRANË- Ministri i Çështjeve Vendore, Bledi Çuçi prezantoi të martën gjatë takimit me kryebashkiakët e rinj shtatë kompetencat e reja që do t’i kalojnë vendorëve, me miratimin e buxhetit të ri 2016, në kuadër të zbatimit të reformës territoriale.

“Reforma territoriale nuk përfundon me zgjedhjet e 21 qershorit, por fillon pas tyre. Ne duhet të punojmë që bashkimi i komunave të mos jetë një bashkim problemesh, por na duhet të bashkojmë dhe shfrytëzojmë të gjitha burimet njerëzore e natyrore, për t’i kthyer ato në një zhvillim të qëndrueshëm”, u shpreh ministri Çuçi, gjatë takimit me kryetarët e bashkive të vendit, në selinë e Kryeministrisë.

Ja dhe 7 kompetencat që i kalojnë bashkive të reja, një proces që do të shoqërohet dhe me transferimin e plotë dhe të burimeve financiare:

1. Arsimi parashkollor. I gjithë personeli i kopshteve do të jetë nën administrimin e plotë të bashkisë, një proces që do të shoqërohet me transferimin e plotë të burimeve financiare që mbulojnë këtë administrim.
2. Mirëmbajtja dhe pronësia e rrugëve rurale dhe një pjesë të rrugëve rajonale që janë pjesë e bashkisë. Edhe kjo do të shoqërohet me fondin përkatës të akorduar në buxhetin e shtetit.
3. Shërbimi zjarrfikës do të jetë tërësisht në funksion të bashkive të reja. I gjithë rrjeti bashkë me kompetencat dhe detyrimet.
4. Fondi i ndihmës ekonomike do të decentralizohet, me kushtin që pjesë e këtij fondi që nuk shfrytëzohet si pjesë e rishikimit të listave dhe emrave fiktivë që ndodhet këtu, të shkojë për qëllime sociale brenda bashkisë përkatëse.
5. Pyjet dhe kullotat me natyrë vendore. Parqet me karakter kombëtar do të jenë nën administrim të qeverisë
6. Rrjeti i kanaleve vaditës dhe kullimit. Jemi në bisedimet e fundit
7.Bashkëkontrolli për personelin mjekësor në qendrat shëndetësore.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb