TIRANË- Nuk kanë dalë aspak të kënaqur kryebashkiakët pas takimit me kryeministrin Edi Rama. Dy prej tyre, Fran Frrokaj, kryetari i Lezhës dhe ai i Mallakastrës, Agron Kapllanaj deklaruan në një prononcim se gjatë takimit u janë komunikuar vetëm disa kompetenca e përgjegjësi. Sipas Frrokut bashkitë janë thuajse në kolaps për përgatitjen e buxhetit.

“Ne e ndoqëm live dialogun, u vendos në thonjëza se u la hapësira për bashkëpunim, u vendos që pushteti vendor ti kalojnë shumë përgjegjësi që në fakt një koleg i majtë tha me përgjegjësi e kënaqësi, për ne vetëm me përgjegjësi. Jemi pothuajse në kolaps për përgatitjen e buxhetit. Nuk dihet se si do të mblidhen të ardhurat. Jemi në fazë pritjeje, ky ishte një takim paraprak. Aty u la një tentativë për të ngritur një shoqatë që do të çojë zërin e kryebashkiakëve. Kjo nuk është reformë. Janë ca kompetenca. Janë një gështenjë e nxehtë në dorën e qeverisë që po na e lë për të mos u djegur. Jemi pothuajse si administratorë pa një kompetencë të përcaktuar pa një ligj”, tha kreu i Bashkisë Lezhë, Fran Frrokaj.

Ndërsa kryetari i Bashkisë së Mallakastrës, Agron Kapllanaj deklaroi se pak ditë më parë në një takim me ministrin Çuçi ishin njohur me disa kompetenca, ndërsa në takimin e sotëm kompetencat ishin reduktuar.

“Falënderoj kryeministrin që na njohu si kryebashkiakë dhe na thirri. Garantoj atë dhe komuntetin se sa herë të ketë ftesa zyrtare do të jemi të pranishëm. Sot vetëm dëgjuam, kur erdhi radha jonë për të folur Rama iku bashkë me ministrat se kishin axhendën e ngjeshur. Ne nuk duam kompetenca që na varronin më tepër, përshembull e kalojnë ujësjellësin megjithë borxhet dhe nuk u tha si do të veprohet me borxhin. Këtu ka një amulli totale. Në takimin që patëm para 3 ditësh me Çuçin, kishte një pr/vendim ku ishin disa kompetenca, si kalimi i Drejtorisë së Bujqësisë, arsimi parauniversitar dhe parashkollor, etj tek Bashkia, ndërsa sot ishin reduktuar. Edhe ata vetë nuk janë të qartë se çfarë duan të bëjnë”, tha Kapllanaj.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: