ERT kanali shtetëror grek, bashkohet me kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe mbarë Shqipërisë në një fushatë sensibilizimi të fuqishme, gjithë Greqisë, për të mbledhur ndihma për popullin shqiptar.


Moderatoret greke Marion Mihelidhaki dhe Denia Sarakini, gjatë emisionit 2 orë live kanë biseduar me një sërë gazetarësh, figura të shquara të shkencës dhe letrave greke, por edhe përfaqësues të denjë të komunitetit shqiptar, kanë drejtuar mesazhe të fuqishme solidariteti.


Inisiativa e rëndësishme do të vijojë në numra të caktuar telefoni, ku telefonata dhe mesazhi sms kushton 3 euro, deri të djelën në mesnatë. Media shtetërore greke reklamon vazhdimisht këtë inisiativë me spote të veçanta, për të sensibilizuar sa më shumë të gjithë.


Gjatë emisionit kanë qenë të pranishëm nga komuniteti shqiptar kryetari i FSHSHG ERMAl SULAJ dhe inisiatore e lëvizjes solidarizuese Shqipëri-Greqi, Liliana Saliaj.
Ndërsa kanë folur miq të vjetër të kryepeshkopit, drejtori i shkollës Arsakio në Tiranë Nikos Frantzis, gazetarë që kanë qenë në Durrës e Thumanë këto ditë, ekipi i forcave speciale EMAK që operoi në Thumanë, këngëtarja Eleni Furreira, si dhe sizmologu i mirënjohur grek, Efthimios Lekas që gjithashtu merrte pjesë në misionin e arritur që në momentet e para nga pala greke.

Të theksojmë se telefonatat ishin të shumta gjatë emisionit, që tregon se ndihma do të jetë e konsiderueshme, por përveç kostos së telefonatës, mjaft kompani greke kanë ofruar ndihma materiale e ushqimore pafund.

Nesër herët në mëngjes Kryqi i Kuq i Greqisë dërgon 3 kontigjente të reja ndihmash drejt të prekurve nga tërmeti. Ndërkohë, mjaft emocionues e paqësor ka qenë mesazhi i Kryepeshkopit Anastasios:
Tërmeti më gjeti në sofitën ku jetoj në Tiranë, ishte një lëkundje shumë e fuqishme. Menjëherë rinia e Kishës Ortodokse në Tiranë, Durrës, Elbasan, reaguan e u drejtuan afër njerëzve, rreth 40 anëtarë të Rinisë vazhdojnë e gatuajnë çdo ditë për të prekurit nga tërmeti. Kisha jonë, shën Vlasi nuk pësoi asgjë, ne u vonuam t’a ndërtonim, e shikonim e rishikonim planin por e bëmë të fortë, as e cënoi tërmeti. Pesë ditë më pas vendosa të bëjmë meshën e parë në kishë. Imagjinoni një qytet fantazmë, pa njerëz ose me pak njerëz të trembur. E megjithatë kisha jonë u mbush plot. Në meshë nuk doja të flasim për frikën, për errësirën, por për atë fije dritë që lindi kjo errësirë. Për solidaritetin e thellë, këtë realitet të ri e kaq të prekshëm në Ballkan. Kjo ndjeshmëri e madhe e njeriut për njeriun në Ballkan sot nuk është rastësi, është zgjuar një interes i rëndësishëm, nuk duhet t’a lëmë të mbetet thjesht konstatim.

Më tej kryepeshkopi ka vijuar me mënyrën e tij paqësore të thotë “mos përshkruani vetëm dhembjen, mos flisni vetëm me dhimbjen, mos u përqëndroni tek dhembja, por kaloni në fazën tjetër, të kalimit të dhembjes e situatës. Tërmete, probleme, tragjedi do të ndodhin sërish, e ardhmja, jeta ka nga të gjitha.
Pas meshës bëmë një drekë në odën e monastirit. Se është tjetër të thuash “ju dua” e tjetër të ulesh pranë të frikësuarit pa folur, të ndjejnë ama se je me zemër e shpirt e trup pranë, se nuk janë vetëm.

E falenderoj drejtorin e ERT, Konstandinos Zulas, më emocionoi shumë kur më telefonoi për këtë insiativë, e di sa e vështirë është të realizosh të tilla maratona, e pranova me shumë kënaqësi këtë mundësi.

A e vutë re këto ditë se sa spontanisht shqiptarët e Greqisë shfaqeshin në kamera të thoshin Efharisto Ellada, faleminderit Greqi? Duhet të kuptojmë thellë se nuk jemi vetëm në këtë botë, asnjëri prej nesh, jemi me fqinjin, me fqinjin ballkanas, që nxitoi i pari të ndihmojë në orë të vështira.

Këto orë mendoj se kjo fatkeqësi zgjoi ndjenja të thella pozitive e hyjnore tek secili prej nesh, le të mos i lëmë të flejnë sërish. Le të kultivojmë këtë ndjenjë solidariteti, t’i aktivizojmë këto mundësi të reja që u shfaqën tani. Të dalin popujt nga klima e kontraditave dhe e keqkuptimeve, nuk jetojmë vetëm në këtë vend.
Po shprehem përmes fjalëve fetare të Apostolos Pavlos, zoti i shpresës është paqja që kemi me tepricë në vetvete. Paqe e shpresë jo me zgjuarsira pa vend, po me plotëkuptimin e fjalës.

Sepse ky tërmet natyror shkaktoi dhe një tërmet tjetër, më të fuqishëm. Një tërmet shpirtëror, mendor. Thotë një poemë greke, mos ki frikë nga pema që shtrihet pranë teje, por mbështete fort.
Kryepeshkopi ka theksuar se “snobojmë shumë realitetin tonë të përbashkët e në kohë krize këto mesazhe e momente solidariteti janë tepër të rëndësishme e të bukura, por duhen ruajtur dhe më tej.

Së fundi, ka dërguar mesazhin ndaj popullit grek “tërmeti nuk zgjon vetëm ndjenjën e frikës, por kryesisht ndjenjën e dashurisë për njeriun dhe solidaritetin e thellë. Ju këtë po bëni sot, po solidarizoheni. Le të jetë sa më e thellë mundet kjo ndjenjë e le t’a fuqizojmë më tej në të ardhmen. Le të jenë këto vlerat që do karakterizojnë dy popujt tanë e le të jenë pikërisht këto vlerat që do mbartim me vete për “tërmetet” e ardhshme jo natyrore që do të na vijnë të përballojmë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb