Pasi grupi i Alibeajt bëri publike emrin e kandidatit të saj për bashkinë e Vaut të Dejës për zgjedhjet lokale, vjen reagimi nga kjo degë. Dega e selisë blu në Vaun e Dejës ka mohuar faktin se është marrë një vendim për të zgjedhur kandidatin.

Sipas saj nuk janë mbledhur strukturat për caktuar kandidaten, ndërsa thekson faktin se qëllimi është të dilet me një kandidat, si grupi i Berishës dhe ai i Alibeajt. Kujtojmë se grupi i Alibeajt prezantoi si kandidaturë zonjën Klomentina Drini.

REAGIMI I DEGËS SË PD NË VAUN E DEJËS
Partia Demokratike, Dega Vau Dejës pasi u njoh me një lajm mediatik lidhur me kandidaturën e PD-së për Bashkinë Vau Dejës, dëshiron të sqarojë demokratët dhe qytetarët e Vau Dejësit, si vijon:
Strukturat lokale të Partisë Demokratike, Dega Vau Dejës nuk kanë zhvilluar asnjë takim për të diskutuar lidhur me kandidaturën tonë për zgjedhjet e 14 Majit dhe as nuk kanë dërguar ndonjë propozim pranë PD-së qëndrore. Në këtë kuptim, përgenjështrojmë çdo lajm për zyrtarizimin e kandidaturës tonë për Bashkinë Vau Dejës, në kushtet kur strukturat nuk janë mbledhur, nuk kanë diskutuar, nuk kanë propozuar e aq më pak të kenë marrë ndonjë vendim lidhur me emrin e kandidatit.
Dëshirojmë t’ju informojmë se ditët e ardhshme Kryesia dhe drejtuesit lokalë të PD-së Dega Vau Dejës do të zhvillojnë një takim, ku do të diskutohen opsionet tona për daljen në zgjedhjet lokale, përfshirë edhe emrin e kandidatit që do të mbështesim. Vendimmarrja e Kryesisë do të bëhet publike dhe do t’i dërgohet zyrtarisht Kryesisë qëndrore. Çdo vendim, i ndryshëm nga vullneti i strukturave lokale të PD Vau Dejës do ishte jo vetëm anti-statutor, por një mohim i sakrificave të demokratëve të kësaj zone, dhe veçanërisht qëndresës së tyre në mbështetje të lidershipit zyrtar gjatë vitit të fundit.
Qëllimi ynë i vetëm mbetet bashkimi përreth një kandidati të vetëm dhe fitorja e zgjedhjeve të 14 Majit, për t’ua kthyer Bashkinë qytetarëve të Vau Dejësit, pas 4 viteve pengmarrje nga Mark Babani dhe njerëzit e tij.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb