TIRANE- Konfliktet e pronësisë janë gjithmonë e më të nxehta mes shqiptarëve, por këtë herë situata ka dalë jashtë kontrollit. Dy zonja, vajza tezesh, kanë degjeneruar në dhunë në transmetim ‘live’. Flasim për emisionin “Shihemi në gjyq”, te “E Diela Shqiptare”, ku zonjat ishin në debat për një pronë në Vlorë, ku janë ndërtuar shtatë pallate. E ndërsa kanë qenë duke debatuar, situata ka dalë jashtë çdo parashikimi. Ka qenë moderatori Ardit Gjebrea ai që ka ndërhyrë mes zonjave jo vetëm për të qetësuar situatën, por edhe për të parandaluar rrahjen keq mes tyre.

Dy zonjat ishin bërë pjesë e rubrikës “Shihemi në Gjyq” për të zgjidhur konfliktin e pronësisë, të nisur disa vite më parë. Gjyshi i tyre, i ndarë nga jeta në vitin 1983, kishte në pronësi një hapësirë të madhe toke në Vlorë, të cilën ua kishte lënë trashëgimi 5 vajzave dhe djalit të tij të vetëm. Sipas pretendimeve të njërës nga zonjat, djali në vitin 2009 kishte bërë një akt noterimi dhe i kishte kërkuar nënës së saj të firmoste, ku bënte dhurimin e pronës, por, gjithmonë sipas pretendimeve të saj, nëna nuk ishte e vetëdijshme mbi atë që i ishte kërkuar.

Në pronën në fjalë janë ndërtuar shtatë pallate dhe pas një maratone të gjatë procesesh gjyqësore, zonjat kanë arritur të gjejnë të drejtën, por siç u pa edhe në “E Diela Shqiptare”, ende nuk kanë arritur në një marrëveshje të plotë. Ardit Gjebrea mbylli seancën për të qetësuar sherrin mes zonjave, ndonëse Eni Çobani dhe publiku dhanë mendimin për atë që kishte të drejtë.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb