Deputetja e PD-së, Albana Vokshi, njëherësh kryetare e Komisionit të Shëndetësisë, deklaroi nga foltorja e Kuvendit se dy ministret Ogerta Manastirliu dhe Evis Kushi kanë refuzuar që të jenë të pranishme në një dëgjesë në këtë komision.

Sipas demokrates, justifikimi i Kushit, ishte për faktin se çështja e pandemisë i takonte ministrisë së Shëndetësisë, ndërsa Manastirliu kishte refuzuar pasi nuk kishte kohë.

“Dua të ngre edhe një herë një shqetësim që e ngrita në Konferencën e Kryetarëve. Komisioni për Shëndetësinë, me votat e anëtarëve ka thirrur në dëgjesë dy ministret, të Arsimit dhe të Shëndetësisë. Në kushtet e rritjes së numrit të të prekurve nga COVID-19 ky shqetësim bëhet i madh. Ministrja Kushi solli dje një shkresë ku refuzonte pjesëmarrjen në komision. me arsyetimin se ka informuar komisionin dhe se nuk i përkasin asaj çështje te shëndetësisë. Përgjigje skandaloze. Ndërsa ministrja e Shëndetësisë tha se; nuk ka kohë që të vijnë te premten. I kërkon kryeministrit dhe kryetares së Kuvendit që t’i tërheqë vëmendje ministreve. Ne e riaplikuam kerkesen dhe e lame per te henen. Ja qëllim kushtetuta ka parashikuar kontrollin parlamentar për të kontrolluar ekzekutivin.

Axhenda nuk përcaktohet nga ekzekutivi. Të nderuar qytetarë sot do të bëheni më të varfër për shkak të borxhit. Këto borxhe nuk përdoren për rritjen e rrogave dhe koncensionet, por për miqtë e qeverisë. Ne jemi të fundit për cilësinë e arsimit, të shëndetësisë por jemi në vendin e parë për pandeminë e korrupsionit. Ne emër të këtyre kontratave korruptive, prishin shtëpitë e shqiptarëve. Shkatërrojnë mundin dhe djersën e shqiptarëve. Edi Rama i trajton qytetarët si armiq. Si deputetë e njësive 9 dhe 11, kam marrë me qindra mesazhe nga qytetarët që janë të stresuar. Asnjë nga banorët që kam biseduar këto ditë, nuk është kundër zhvillimi. Banorëve as nuk ju tregohet asgjë. Heshtja totale pranohet edhe në shkresën e ARRSH-së. Në një ndërtesë gjysma është e legalizuar se është militant i PS, gjysma tjetër jo pasi mendohet se është përfaqësues i PD. Dhjetëra familje janë përpjekur që të komunikojnë me përfaqësues të institucioneve. Unë kërkoj informim urgjent të banorëve për statusin e regjistrimit të banesave të tyre.”, tha Vokshi.

Fjala e plotë: 

Para se të flas për pr.ligjin dua të shpreh shqetësimin në lidhje me një akt tjetër arrogance të kësaj qeverie. Komisioni për shëndetesinë ka kërkuar prej 10 ditësh seancë dëgjimore me dy ministret Kushi dhe Manastirlliu në lidhje më masat e marra për fillimin e vitit të ri shkollor dhe atij akademik në kushtet e rritjes së numrave të të prekurve nga COVID kjo cështje bëhet edhe më shqetësuese.
Ministrja Kushi refuzon, në mënyrë skandaloze thotë s’me përkasin cështjet ë shëndetësisë. Ministrja Manastirlliu thotë shtyjeni se kam axhendë tjetër.

Kushtetuta ka parashikuar kontrollin parlamentar hapësirat e të cilit ju po kërkoni t’i mbyllni. Tërhiqini vëmëndjen ministreve që të respektojnë detyrimët kushtetuese e ligjore e të paraqiten në Komisionet parlamentare. Axhenda e Komisioneve përcaktohet nga deputetët e Kuvendit e jo nga Qeveria.

Sot, kjo sencë do t’ju bëjë më te varfër. Sot, borxhi që po merr Edi Rama për të larë një borxh tjetër, do ta përkeqësojë ekonominë e gjithësecilit prej jush. Kjo qeveri, për shkak të paaftësisë dhe korrupsionit, nuk i përdor këto para për të rritur mirëqenien tuaj, nuk i përdor për të rritur rrogat dhe pensionet, por për të paguar faturat e disa klientëve të saj, të cilët qëllojnë të jenë edhe ortakë në biznese të fshehura. Këto janë fatura të krijuara me borxhe të tjera, duke bërë që shqiptarët të jenë më të varfër dhe me një barrë të rëndë për të paguar në vitet që vijnë.

Fakti që sot po debatojmë për të rritur borxhin e Shqipërisë me 770 milionë euro, 700 milionë Eurobond dhe 70 milionë për korrupsionin në OSHEE, është një shenjë e dështimit flagrant të qeverisë. Një qeveri që nuk është në gjendje të paguajë faturat e veta, duhet të largohet! Qytetarët nuk mund dhe nuk duhet ta mbajnë këtë peshë të rëndë të dështimit të Edi Ramës.

Akti i sotëm është një plaçiktje e re e shqiptarëve, të cilët, nën drejtimin e Edi Ramës renditen të fundit për nivelin e pagave dhe pensioneve, të fundit për cilësinë e shërbimit shëndetësor, të fundit për cilësinë e arsimit, të fundit për cilësinë e jetës. I vetmi vend ku qeveria jonë renditet e para është niveli pandemik i korrupsionit. Këta janë të parët për të vjedhur, prandaj sot marrin borxh për të larë borxhin me borxh.

Çfarë bëjnë me këto para? Ku shkon ky borxh i ri që marrin? Këta nuk bëjnë transparencë, sepse transparenca nxjerr zbuluar pagesat për punësimet elektorale, shërbimin që bëjnë ndaj koncesioneve të tyre korruptive dhe projekteve që u kushtojnë shqiptarëve miliona euro për 1 kilometër.

Në emër të këtyre kontratave korruptive, që i paguajnë me borxhin që marrin në emër të shqiptarëve, prishin shtëpitë e shqiptarëve, shkatërrojnë djersë dhe mundin 30 vjeçar, i detyrojnë të ikin nga sytë këmbët.

Edi Rama i trajton shqiptarët si armiq, kur ata i prishin planin për të vjedhur përmes projekteve pa transparencë.

Këto ditë po shohim sesi ai u është vërsulur për të prishur banesat në zonën e 5 Majit në Tiranë, sepse i duhet që të lirojë tokë për të dhënë me PPP një zonë tjetër në kombinat apo diku në kinostudio. Rrënqethëse dëshmija e siotme e një babai më 3 fëmijë: pa punë, tani edhe pa shtëpi. 35 vite mund e djersë vënë me ndershmëri, rrënuar në vetëm 5 minuta.

Këto ditë, ndërsa merr borxh për të berë 21 milionë euro 1 kilometër rrugë, një tjetër aferë e madhe korrupsioni po merr trajtë tek pjesa e papërfunduar e Unazës së Re. Këtë faturë Edi Rama kërkon që ta paguajnë 700 familje me prishje e banesave të tyre.

Qindra qytetarë të njësive 9 dhe 11 në Tiranë janë në protestë kundër kësaj afere që shkatërron jetë e tyre.

Ata preken nga projekti segmetit rrugor të Unazës, sheshi Shqiponja – Bulevardi i Ri. Një segment do t’u kushtojë takspaguesve shqiptarë 62.5 milionë euro për vetëm 3 km rrugë. Thënë ndryshe 21 mln euro/km.

Si deputete përfaqësuese e njësive 9 dhe 11, kam marrë me qindra mesazhe nga qytetarë të ndryshëm, të cilët janë të shqetësuar, të stresuar dhe në ankth se mundi, puna, djersa e një jete do t’u shkatërrohet dhe do të ngelin në mes të rrugës.

Asnjë nga banorët që kam takuar e biseduar këto ditë nuk është kundër zhvillimit apo kundër projekteve me interes publik, por janë kundër mënyrës së paligjshme, në mungesë të plotë transparence, e të panjerëzishme trajtimi.

Asnjë përfaqësues i Ministrisë, i Autoritetit të Rrugëve apo Bashkisë nuk pranon të bisedojë me 700 familjet, pavarësisht thirrjeve të përditshme të banorëve. Vetëm policë apo punonjës që si banda, pa asnjë letër apo shkresë që mësyjnë nëpër shtëpitë private duke terrorizuar banorët të moshuarit, gratë e fëmijët.

Ajo që kërkojnë banorët është transparenca. As nuk u thuhet, as nuk u jepet e as tregohet asgjë. Heshtje totale ndaj më shumë se 700 familjeve që preken nga ky projekt. Mungesa totale e informimit pranohet edhe në shkresën zyrtare të ARRSH-së që unë kam këtu.

Duke biseduar me banorë evidentohet qartë diskriminimi edhe vetëm për arësye politike, korrupsioni me lejet e legalizimeve kundrejt pagesave nën dorë, krimi elektoral me dhënien e certifikatave të legalizimit gjatë fushatës elektorale. Në një ndërtesë, gjysma është legalizuar sepse është i PS e tjetra e palegalizuar, sepse është I PD. Leje legalizimi elektorale, selektive, bazuar në bindjet apo përkatësitë politike. Qindra familje vetëm sepse nuk paguanin dot gjobën e taksidarëve janë lënë në mëshirë të fatit pa asnjë mbrojtje ligjore apo institucionale.

Dhjetëra familje janë përpjekur të komunikojnë me zyrat e Agjencisë Shtetrore të Kadastres për të marrë dokumentat e shtëpisë apo informacion për to. E pamundur! Askush nuk përgjigjet! Familjarët dyshojnë zhdukjen e dosjeve të shtëpive të tyre. Kërkoj, në emër të banorëve, informimin urgjent të tyre në lidhje me statusin e regjistrimit të pronës së tyre. Është detyrim ligjor e kushtetues informimi i tyre!!

Le të marrim disa shembuj:

Në zonën e quajtur “Josif Pashko” ku kalon projekti: Familjet: Nikoll Kolndreu, Fran Kolndreu, Aurel Demko, Mark Kolndreu, edhe pse kanë paguar të gjitha faturat apo detyrimet nuk i kanë marrë çertifikatat e pronësisë;
Gjithashtu familja MArku që kanë futur dokumentat e legalizimit që në nisje të procesit, ende s kanë dokumenta legalizimi edhe pse fqinjët i kanë marrë ato;
– Fatmir Seci, HaxhiSefa, pa dokumente edhe pse fqinjët i kanë marrë ato.

Në zonën e Sheshit Shqiponja deri te Shinat: Musa Ahmet Hyseni edhe pse me VKM dhe pagesat në bankë prej shumë vitesh nuk ka arritur të marrë asnjë dokument pronësie. Edhe pse të gjithë fqinjët rreth e rrotull i kanë marrë dokumentet e pronësisë.

Pse më dy standarte? Projekti është miratuar para disa muajsh, pse nuk janë pajisur me dokumentat përkatëse.

Banorët pretendojnë që projekti është devijuar shumë nga ai që është miratuar para disa vitesh. Pyetja që lind është: cila është arësyeja e këtij devijimi? Banorët denoncojnë që devijimi i projektit është bërë për të ruajtur e futur brenda unazës sipërfaqe për të cilat Edi Rama dhe Erion Veliaj kanë firmosur leje për të tjera kulla të pastrimit të parave të pista…Kush qëndron pas këtyre lejeve? Cili është oligarku që arriti të devijojë një projekt të tërë? Me siguri, ka edhe ai faturën që duhet të paguhet nga ky borxhi që po merr sot Edi Rama.

Sot Ministrja ka detyrimin të përgjigjet e t’u shpjegojë banorëve nësë është devijuar gjurma nga projekti Të para disa viteve? Nëse po, cila është arësyeja e këtij devijimi? Cili oligark qëndron pas lejeve të ndërtimit të dhëna së fundmi e që kanë detyruar devijimin?

Në datë 29 shtator kam kërkuar informacion nga Ministrja Balluku, nga Erjon Veliaj në lidhje me këtë project. Përvec ARRSH që e solli jashtë afateve, as Mininstrja e as Kryetari i bashkisë nuk kanë repsketuar detyrimet e tyre kushtetuese dhe ligjore për të dhënë informacionin e duhur.

Arrogancë rilindase për të fshehur aferat e dhjetëra mln EURO ndërkohë që 654 ndërtesa që do të preken e 700 familje do të mbeten pa një strehe mbi kokë.

Të dashur qytetarë,

Prandaj, në emër të të gjithë qytetarëve, si përfaqësuese e tyre në parlament kërkoj që:
1- secila kategori, qofshin me çertifikatë pronësie, me leje legalizimi, në proçes legalizimi apo pa dokumente të bëhen pjesë, pa dallim e diskriminim, e skemës së shpronësimit.
2- Vlera e shpërblimeve të jetë sipas çmimeve të tregut.
3- Dhe së fundi, pagesat t’u jepen qytetarëve përpara se shtëpitë e tyre të prishen që të kenë mundësi për të siguruar strehim për familjet me fëmijë e të moshuari.
4- nëse ka pronarë të pakompensuar, të futen në fondin e shpronësimeve

Kaq jua keni borxh këtyre qytetarëve. Janë ata që po paguajnë me sakrificë për borxhet e korrupsionit të qeverisjes së Edi Ramës. Është koha t’u ktheni borxhi dhe të mos i lini pa shtëpi mbi kokë.

Faleminderit

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: