Një zjarr masiv ka shpërthyer mbrëmjen e sotme në zonën e Feltham, shumë pranë aeroportit ndërkombëtar të Heathrow, në Londër.

Mediat britanike raportojnë se dhjetra pronarë shtëpish në zonë janë evakuuar, ndërsa për shuarjen e flakëve janë angazhuar mbi 70 zjarrfikës.

Shtëllungat e tymit dhe flakët mund të shiheshin qartë nga avionët që zbrisnin ose ngriheshin nga aeroporti, ndërsa zjarri shkrumboi pemë, gardhe, shkurre dhe stola në pjesën e pasme të një blloku banimi në Hereford Road.

Disa që jetojnë në afërsi të zonës kanë raportuar se kanë dëgjuar një shpërthim të fortë me një dëshmitar që ka shkruar në rrjetet sociale: “Unë dhe babai im dëgjuam një zhurmë masive pothuajse si një bombë apo shpërthim”.

Komandanti i stacionit të zjarrfikësve Tamer Ozdemir nga vendngjarja sqaroi se zjarrfikësit kanë punuar jashtëzakonisht shumë në kushte të nxehta dhe të vështira për të ndaluar përhapjen e flakëve në pronat e afërta.

“Rreth 60 banorë janë evakuuar për shkak të sasisë së tymit. Ekipi ynë i dronëve është në skenë duke ndihmuar ekuipazhet në identifikimin e pikave të tjera të nxehta në pyllin përreth”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb