Xheladin Draçini, dekan i Fakultetit të Mjekësisë i cili garon për një mandat të dytë ka folur në rubrikën “Opinion” në News24 për procesin zgjedhor, studentët, mësimin si dhe situatën nga COVID-19.

Draçini tha se data 30 korrik ishte e papritur dhe se personalisht do donte të bëheshin në një kohë tjetër por se është një dilemë e vështirë pasi nuk dihet se kur mund të jetë momenti i duhur. Ai deklaroi se janë marrë të gjitha masat që procesi të shkojë sa më mirë.

“Na erdhi e papritur. Personalisht do doja të bëheshin në një periudhë tjetër. Personalisht është një lloj dileme. Në vetvete është vështirë në një situatë pandemie të gjesh momentin e duhur. Situata epidemiologjike nuk parashikohet lehtë. Shpresoj që ky proces të shkojë sa më mirë. I kemi marrë të gjitha masat që të shkojë sa më mirë.
Pjesa më e madhe e studentëve nuk është e pranishme. E gjykoj një mangësi. për momentin nuk është se kemi një formulë që na e zgjidh 100%”, tha Draçini.

Sa i përket kandidimit i vetëm pa rivalë, ai tha se është e vështirë gara me vetveten.
“Është e vështirë. E kam të vështirë të shpjegoj pse nuk ka një konkurrent. Gara me vetveten e vështirë sepse duhet të paraqesësh një platformë që të jetë e plotë. Ne kemi kaluar një 4-vjeçar të suksesshëm dhe ndoshta që kemi marrë guximin të kërkojmë një mandat të dytë”, tha ai.

Sa i përket vitit akademik, Draçini deklaroi se ka qenë një vit i vështirë, fillimisht tërmeti e më pas pandemia. Por lidhur me skenarët, se di do të kryhet procesi nga shtatori, ai tha se ka disa opsione.

“Kthimi në auditorë me grupe të vogla, nëse kanë qenë grupe me 15 do bëhen me 6. Pjesa tjetër do jetë online. Nëse kem situatë si e tanishmja, pjesa e mësimit online por do ketë momente rikthimi në auditorë me masa mbrojtëse. Por do ketë një platformë alternative online për ata studentë që i frikësohen kthimit. Situata më e keqe do jetë i gjithë procesi do jetë online”, tha ai.

Në lidhje me programin e tij, Draçini vlerësoi si pikë të fortë transparencën dhe ndjeshmërinë në procesin akademik.

Dekani i mjekësisë foli dhe për situatën në vend nga koronavirusi. Ai tha se ka shumë gjëra që nuk dimë dhe se ajo që na mbetet është kufizimi i infeksionit nëpërmjet distancimit dhe maskave.

“Në menaxhimin e një krize të shëndetit publik është mirë që burimi i informacionit të jetë i vetëm. Shumë burime sjellin konfuzion tek publiku. Situata e Shqipërisë nuk ka si të ndryshojë nga pjesa tjetër e botës. Nuk ekzistojnë vende imune. Fjala që dominon është nuk dimë, jo dimë, është një infeksion i ri viral. Dimë me siguri që nuk kemi një vaksinë ende, një mjekim specifik. Ajo që na mbetet është mbrojtje, masat për kufizimin e infkesionit. Për fat masat janë të thjeshta”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb