Ministrja e Drejtësisë ne Kosovë, Albulena Haxhiu ka bërë një deklaratë të fortë në lidhje me Astrit Deharin, anëtari i Vetëvendosjes.

Sipas saj, të mërkurën në mbrëmje janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit nga Laboratori i toksikologjisë, ndërsa pohoi se vetëm tre persona kanë pasur autorizim të hyjnë në këtë laborator.

“Mbrëmë janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit nga Laboratori i toksikologjisë. Ky është akt i rëndë, kriminal, prandaj menjëherë kam njoftuar kryeprokurorin dhe drejtorin e policisë. Në mëngjes kam vizituar Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe jam njoftuar si në vijim: në mbajtësen e epruvetave kanë qenë 15 epruveta me gjak, 1 epruvetë e urinës dhe një e lukthit. Nga këto institute dy epruveta me gjak ja ka dhënë Instituti Zviceran dhe një policisë për AND. Aktualisht sipas informacioneve mungojnë 12 epruveta me gjak, një e urinës dhe një e lukthit. Në vend kanë qasje vetëm 3 persona. Vetëm 3 persona i kanë çelësat”, tha ajo.
Haxhiu ka thënë se kjo situatë e rëndë ngre hije dyshimi mbi të gjithë Institutin e Mjekësisë Ligjore. Dhe nëse ndiqet protokolli, ajo ka thënë se do të jetë e thjeshtë që të gjenden përgjegjësit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb