Pedagogu i Fakultetit Ekonomik në UT, Sherif Bundo deklaroi se shpopullimi i popullsisë është temë e interesave kombëtare që duhet të bashkojë të gjitha institucionet. I pranishëm në videokonferencën e organizuar nga presidenti Ilir Meta për këtë temë, profesori tha se shpopullimi nuk ka të bëjë me të qënit i majtë apo i djathtë.

Mes të tjerash Bundo bëri edhe një deklaratë të fortë ndërsa theksoi se t’i vrasësh rinisë shpresën është njësoj si ta dëbosh me forcë nga vendi, siç bënte Millosheviçi me shqiptarët e Kosovës.

“Shpopullimi është një temë shqiptuese që duhet të bashkojë të gjithë faktorët politikë, institucionet dhe shoqërinë. Falenderoj Presidentin Meta, që si burrë shteti, i ka dalë ballazi këtij fenomeni, që duhet shndërruar në një temë kombëtare. Kush nuk mendon për të frenuar këtë fatkeqësi kombëtare, nuk i shërben interesave kombëtare. Roli kryesor në menaxhimin e kësaj fatkeqësi kombëtare i takon qeverisë, që nuk po tregon vullnetin e duhur dhe vizionin për ta frenuar. Në Shqipëri të ardhurat mujore për një familje në nevojë janë diku tek 104-105 euro. Kjo është shqetësuese sepse jemi në kufijtë e varfërisë dhe në vendin e fundit në rajon, sa i përket të dhënave tronditëse për këtë kategori. Niveli i popullsisë që jeton me më pak se 5.5 USD/ditë është dy herë më i lartë në vendin tonë se sa në të gjithë rajonin. T’i vrasësh rinisë shpresën është njësoj si ta dëbosh me forcë nga vendi. Është njësoj siç Sllobodan Millosheviçi dëbonte me forcë shqiptarët nga Kosova.”, -tha Bundo.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb