Ish-sulmuesi dhe trajneri i Partizanit, Ylli Shehu, në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” pohoi se dueli i sotëm mes Skënderbeut dhe të kuqve është një ndeshje psikologjike dhe, sipas tij, “demat” i kanë mundësitë që ta kalojnë me sukses takimin. Sipas Shehut, Skënderbeu po luan më shumë për Kukësin, duke iu referuar ndeshjes së fundit, kështu që edhe barazimi në këtë takim i shkon përshtat skuadrës verilindore.

Shehu, si e shikoni duelin Skënderbeu-Partizani, ku në dallim nga e shkuara kësaj here të dy ekipet vijnë në pozita të barabarta?
Kjo është më shumë si ndeshje psikologjike për të parë forcën e të dy ekipeve. Edhe në vitet e fundit, skuadrat kanë qenë në pozita thuajse të barabarta, por këtë vit Skënderbeu ka pësuar rënie, pasi nuk e ka forcën e vitit të shkuar. Ndërsa Partizanin e shikoj euforik prej rezultateve dhe lojërave të mira që ka zhvilluar në përgjithësi. Kështu për këtë takim kërkohet thjesht një gjykim i mirë i sfidës, që të mos ndikojë në lojën e skuadrave dhe rezultatin final.

Partizani me ardhjen e Starovës ka arritur të rikuperojë 7 pikë me Skënderbeun, ndonëse tani është Kukësi ai që udhëheq…
Skënderbeu ka lënë shumë pikë. Kur erdhi Starova, ata ishin shumë përpara dhe në këtë sfidë vijnë në pozita të barabarta. Sipas mendimit tim, korçarët po luajnë pak për Kukësin. Skënderbeu nuk u tregua i fortë ndaj Kukësit, m’u dukën dashamirës ndaj tyre në duelin e fundit. Kështu që ndaj Partizanit ata mund të forcohen dhe të luajnë më fort.

Sa vendimtare e shikoni këtë përballje mes dy rivalëve direkt, duke ditur që edhe Kukësin e pret një transfertë relativisht e fortë?
Normal që edhe Kukësi nuk e ka të lehtë, pasi në Superiore nuk ka ndeshja të thjeshta. Por Kukësi nuk e ka aq të vështirë sa përballja Skënderbeu-Partizani. Kukësi bëri një gabim me Korabin, pasi nëse nuk do të kishte barazuar do ta priste më i qetë fundin e fazës së dytë. Gjithsesi, në këto moment të tre ekipet kryesuese duhet të tregojnë vlerat dhe forcën e tyre. Pra, është momenti që kjo treshe të tregojë “dhëmbët” për të treguar se kush është pretendenti më i fortë për titull. Gjithsesi, të qenit kampion dimri të jep një sadisfaksion.

Kukësi edhe para dy sezonesh doli kampion dimri, por titullin në fund e fitoi Skënderbeu…
Në objektivin final ndikon edhe merkatoja e dimrit që do të bëjnë klubet. Ekipet e dinë ku çalojnë, në mënyrë që gjatë fazës përgatitore të rikuperojnë mangësitë. Pra, janari mbetet përcaktues për të gjithë.

Me që dolët te merkato, sipas Shehut, çfarë i duhet tani Partizanit?
Përpos rikuperimit të plotë të të dëmtuarve, skuadra ka nevojë për një sulmues të majtë që të kompletohej grupi dhe që të përmirësohej finalizimi i aksioneve.

Keni ndonjë parashikim apo rezultat për ndeshjen e sotme?
Partizani nëse luan me forcë, siç ka treguar në disa ndeshje, besoj se do ta kalojë me sukses transfertën e Korçës. Të kuqtë kanë në përbërje lojtarë që vrapojnë shumë dhe që kanë treguar shpirt gare. Pra, për mua, është një ndeshje e kalueshme nga Partizani, pasi nuk është më Skënderbeu i sezoneve të fundit.

Ku i shikoni pikat e forta të të dy ekipeve?
Mesfusha do të vendosë në këtë takim. Dyluftimet që do të zhvillohen në mesfushë do të jenë përcaktues për mbarëvajtjen e ndeshjes. Partizani e ka mbrojtjen solide dhe është e vështirë që t’i shënosh gol. Por edhe sulmuesit kanë dalë shumë përpara portës kundërshtare, por nuk kanë finalizuar. Nëse sulmuesit e Partizanit do të kishin finalizuar disa nga rastet e dhëna, sot mund të kishin më shumë pikë.

Fitorja në Korçë, a mund të shërbejë si një shtysë më shumë për Partizanin për të dalë kampion?
Siguri nuk ka edhe pas kësaj ndeshje, pasi mbetet për t’u luajtur edhe gjysma e dytë e kampionatit. Gjithsesi, trepikëshi është një hap i madh për të kuqtë, aq më shumë që largon edhe Skënderbeun. Humbja e largon edhe moralisht skuadrën korçare, e cila në rast disfate do të ishte edhe në trysninë mediatike. Humbja krijon më shumë probleme në Korçë, pasi as vetë ata nuk do të dinin si t’i zgjidhnin.

A mund të themi se barazimi në këtë takim është një asist për Kukësin?
Sigurisht që barazimi në këtë ndeshje i shkon përshtat Kukësit, pasi i jep më shumë qetësi për fillimin e fazës së tretë./panoramasport
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: