TIRANE- Ministria Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar pas deklaratës së presidentit Ilir Meta, lidhur me plotfuqishmërinë për nisjen e negociatave me Greqinë.

Përmes një deklarate për shtyp, MEPJ thekson se ky institucion është i angazhuar për të vijuar bisedimet e konsultimet e nisura me Presidentin e Republikës për të gjitha çështjet me interes për këtë proces.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme tha se po shqyrton letrën e Presidentit, në përgjigje të kërkesës së dërguar prej saj, për lëshimin e autorizmit për fillimin e negociatave me palën greke për delimitimin e hapësirave detare mes dy vendeve.

Meta deklaroi sot se ishte detyruar te publikonte letrën që i kishte kthyer përgjigje ministrit pas kërkesës për plotfuqishmërinë në lidhje me negociatat me Greqinë.

REAGIMI I MEPJ
Në përgjigje të intersimit të mediave, zëdhënësja e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Edlira Prendi, dëshiron të bëje me dije se:

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme po shqyrton letrën e Presidentit të Republikës, në përgjigje të kërkesës së dërguar prej saj, për lëshimin e autorizmit për fillimin e negociatave me palën greke për delimitimin e hapësirave detare mes dy vendeve.

Çështjeve të ngritura nga Presidenti i Republikës, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme do t’u përgjigjet në rrugë institucionale. Sikundër Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme është i angazhuar për të vijuar bisedimet e konsultimet e nisura me Presidentin e Republikës për të gjitha çështjet me interes për këtë proces.

Procesi i nisur me Greqinë është kompleks, ndaj kërkon qetësi, maturi, institucionalizëm dhe jo projektimin e një anormaliteti që nuk ekziston.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: