TIRANË- Ministria e Punëve të Brendshme reagon pas deklaratave të selisë blu, duke pretenduar se “Partia kryesore e opozitës shndërrohet në një zëdhënëse të një ish-zyrtari të shpallur në kërkim, i cili po gjykohet për dekonspirim të aksioneve të Policisë së Shtetit gjatë kohës që ishte në detyrë”.

MPB-ja shton se “Ky nivel mund të jetë i denjë për lexuesin e saj, por nuk mund të jetë qëndrimi i opozitës, që zgjedh të bëhet palë me një person në kërkim, të arrestuar për dekonspirim të aksioneve të policisë, dhe refuzon të mbështesë, qoftë edhe me heshtje, punën e madhe të Policisë dhe partnerëve në luftën e përditshme kundër krimit, paligjshmërisë dhe informalitetit”.

Në deklaratë theksohet se “Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia shqiptare në 2 vitet e fundit kanë arritur rezultate të pamenduara në luftën kundër narkotikëve, duke çrrënjosur njëherë e mirë konceptin e zonave të paprekshme, që për vite me radhë ishin kthyer në “parajsa” të lulëzimit të hashashit me bekimin e pushtetit të kaluar. Nëse i konsideron vetëm disa rrënjë, mbi 630 mijë bimët e kanabisit të asgjësuara vetëm këtë vit nga Policia, në operacione nga Tropoja e Dukagjini e deri në Tepelenë e Korçë, ky është një problem të cilin nuk ia zgjidhim dot opozitës. E vetmja trashëgimi e Qeverisë së kaluar, ishin hartat me fotografitë e ofruara nga Policia italiane për mijëra parcela droge anë e mbarë vendit, për të cilat nuk ishte lëvizur as gishti për t’i shkatërruar. Sukseset e sotme të Policisë në luftën kundër drogës dhe krimit, tregojnë jo vetëm vullnetin e Qeverisë për të shënuar rezultate që qeveria e kaluar as i imagjinonte, por njëkohësisht tregon sa edhe sa të korruptuar, përtacë dhe protektorë të krimit kanë qenë ata që e drejtonin deri dje Qeverinë, MB dhe Policinë e Shtetit”.

PD: QEVERIA NEN AKUZE PAS INTERVISTES SE ISH SHEFIT TE ANTIDROGES
Partia Demokratike ka reaguar sot pas intervistës së dhënë nga arratia të ish-shefit të anti­drogës në Fier, Dritan Zagani lidhur me trafikun e kokainës në Jug të vendit.

Deputeti dhe Ish-ministri i Brendshëm, Flamur Noka tha në një deklaratë për mediat se pas dëshmive të ish-policit, qeveria dhe ministria janë nën akuzë për lidhje me trafikantët. “Sot, krerët e lartë të Policisë dhe qeveria janë nën akuzë për favorizim të trafikut të drogës, për lejimin e rrugëve të transportit të saj, për dhënie imuniteti ndaj grupeve të strukturuara kriminale. Akuza vjen nga një oficer i lartë policie, i cili shpjegon mekanizmin kriminal, si ishin të organizuara bandat e trafikut të drogës në Vlorë pas vitit 2013, lidhjet e tyre me krerët më të lartë të policisë dhe qeverisë në Tiranë. Oficeri që ka hetuar për shumë kohë këto grupe kriminale, deklaron se informacionet që dërgonte tek eprorët, shiteshin tek trafikantët dhe aksionet dekonspiroheshin”, deklaroi Noka.

Sipas tij “lidhjet e krimit kanë shkuar deri aty, sa oficeri dhe burimi i tij i informacionit, janë kërcënuar nga trafikantët. “Tradhtia e policisë në misionin e saj shkon deri aty sa dhe bandat e drogës kishin siguruar edhe të dhënat personale të oficerit dhe bashkëpunëtorit të tij në terren. Akuzat e oficerit që ka hetuar rrjetin kriminal të drogës në Vlorë, janë tronditëse dhe kanë shokuar mbarë opinionin publik. Deri në këtë moment që flasim, nuk ka asnjë reagim nga krerët e policisë dhe nga Ministri i Brendshëm. Pushteti i bandave, mbrojtja e tyre, imuniteti dhe pakrekshmëria, tradhtia që i është bërë policisë dhe oficerëve që kanë hetuar trafikun e drogës, është sot çështja më e mprehtë publike, është kauza e gjithë vendit. Krerët e Policisë janë nën akuzë, qeveria dhe Ministri i Brendshëm janë nën akuzë. Heshtja e tyre vërteton implikimin e drejtpërdrejtë”, theksoi Noka.

(m.k/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: