Regjisori Edmond Budina i ftuar në studion e emisionit “Kjo javë” në “News 24” tha se e ka parë me kujdes replikën mes kryeministrit Rama dhe aktores Raimonda Bulku.

Budina u shpreh se kishte vënë re me kujdes replikën e aktores Raimonda Bulku dhe i kishte rënë në sy fakti se ajo tha se “s’duhet përdorur dhunë ndaj kolegëve”.

“Te rasti i Raimondës, ajo tha mos përdorni dhunë ndaj kolegëve të mi. Më pëlqeu kjo shprehje. Ka qenë një rast Laert Vasili iu sulën ata të Agimit të Artë. Kam qenë unë që kam thënë që mos ta dhunojnë. Robert Ndrenika mund të ketë ndryshuar mendim, por ai është miku im, kemi punuar për demokracinë. Ka të drejtë ta ndryshojë mendimin. A, unë s’kuptoj ata që bëhen militantë, ata që luftojnë kolegët me mllef dhe urrejtje. Ndërsa çdokush që ka mendim ndryshe, është i mirëpritur”, tha Budina.

Edmond Budina shtoi se ndan respekt ndaj kolegëve që kanë mendim ndryshe.

“Kolegët e mi që kanë mendim ndryshe, unë e respektoj. Unë gjithmonë kam mbrojtur kolegët. Kam dëgjuar që ne që kemi mbetur jemi më intelektual, ata që kanë ikur s’janë njerëz. Kjo është e rëndë. Të flasësh keq për kolegët e tu, vetëm në Shqipëri ndodh. Politika e përzien dhe e fut këtë sherr. Bashkia e Tiranës apo qeveria me ato që kanë ikur nga protesta, ka dhënë para më shumë. Nuk duhen bërë qoka. Dakord, duhet mbështetje, por jo qoka. Qeveria të mos bëjë qoka me aktorët dhe artistët. Me këtë ka luajtur politika dhe i ka përçarë në mënyrë skandaloze. Tani qeveria ka mundësi të japë ca para, më herët nuk i ka përçarë dot, sepse nuk kishte aq para, nuk afroheshin aq shumë”, u shpreh ai.

Për regjisoren e njohur, beteja për teatrin do të vazhdojë e nuk do të ndalet.

“Duhet të tërhiqen patjetër. Duhet të bëjnë teatër në vend tjetër, të restaurojnë këtë teatër. Kam pasur koleg italian dhe më kanë thënë se kjo është marrëzi.  Italianë, gjermanë, të huaj thonë se është e papranueshme që të prishet teatri. Edhe Ivica Buljan, regjisori kroat më çoi një mesazh ku u shpreh të prishësh një teatër do të thotë të vrasësh shpirtin e një kombi. Unë nuk e kuptoj këtë inat që të shkatërrosh teatrin, shpirtin e kombit”, deklaroi Budina.

Për Budinën, gur kilometrik nuk janë të tjera ndërtesa, por Teatri Kombëtar është gur kilometrik për Shqipërinë dhe kombin shqiptar.

“E quajnë deri bordello, e quajnë çfarë nuk e quajnë. Ky teatër është gur kilometrik, t’iu vijë turp që thotë këto. Thotë edhe jemi minorancë. Shqipëria ka nevojë për historinë e saj. Ne nuk jemi në minorancë. Plus nesh, edhe qytetarët janë me ne. Është skandal, jemi të fundit në Europë për investime dhe buxhet. Ia kam thënë në sy Ramës, unë kam marrë 300 mijë euro për të bërë filmat e mi.  Ndërsa mbi 1 milionë e ca i kam marrë në Itali. Edhe kam humbur e kam investuar, sepse me këra është paguar skena, janë kryer xhirime, të gjitha shpenzimet. Investimi në kulturë është zhvillim. Këtë duhet të kuptojnë politikanët shqiptarë që mbeten prapë gdhe”, deklaroi Budina ndër të tjera”, tha Budina.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb