Kryetari i Kievit, Vitaly Klitschko, reagon pas lajmeve të publikuara në media, ku citohej të kishte folur për Kosovën dhe shqiptarët.

Në një postim në “Instagram”, kryebashkiaku Klitschko mohon të ketë bërë deklarata të tilla, duke theksuar se “Disa media të huaja online, përfshirë ato ruse, përhapën më tej gjoja ‘citimin’ tim për Serbinë dhe Shqipërinë. Unë nuk thash një gjë të tillë, edhe para se gazetarët ta kopjojnë këtë informacion të pretenduar dhe të citojnë atë, duhet të kërkojnë konfirmimin audio ose video të një ekskluziviteti të tillë”, ka shkruar kryebashkiaku i Kievit.

Një medium shqip me seli në Zvicër, i quajtur “Le Canton 27”, ka publikuar një deklaratë, të cilën pretendon se e ka thënë Vitaly Klitchko, e që ndërlidhet me çlirimin e Kosovës nga Serbia dhe çlirimin e Ukrainës nga Rusia.

“Më vjen shumë mirë që takoj për herë të parë një gazetar shqiptar, një rast i mirë për t’ju përcjell një mesazh juve, popullit shqiptar në Ballkan. Kemi dëgjuar e lexuar se edhe ju shqiptarët si ne ukrainasit jeni njerëz të paqes, liridashës, por edhe luftarakë që e do nevoja, që na e imponon ndokush. Ne sot po luftojmë kundër regjimit rus që po tenton të okupojë vendin tonë, Ukrainën që mëse 100 ditë, sikur ju që ishit dikur të okupuar nga Serbia…”, ishte deklarata e Klitchko e publikuar nga Le Canton 27.ch.

Një deklaratë e tillë pati nxitur reagime të ashpra në Beograd, përfshirë një deklaratë nga Aleksandar Vulin, ministër i Mbrojtjes.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb