Të gjithë tatimpaguesit që kanë më shumë se 2 milionë lekë të ardhura në vit duhet të dorëzojnë deklaratën vjetore të të ardhurave. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve sqaron se deklarata duhet të paraqitet edhe nga individët jo rezidentë.

Më konkretisht, tatimpaguesit duhet të deklarojnë këto të ardhura të tatueshme: Të ardhura bruto nga paga apo shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit; të ardhurat bruto nga dividenti; të ardhurat bruto nga qiraja; fitimi kapital nga shitja e pasurisë së paluajtshme në pronësi të deklaruesit; të ardhura bruto nga interesat bankare; fitimi kapital i krijuar nga investimet në tituj apo nga pasuri të paluajtshme; shuma bruto të fituara nga lotaria apo lojëra të tjera të fatit; të ardhurat bruto nga pasuria intelektuale, licencat, të drejtat ekskluzive dhe pasuritë e tjera, që përbëhen vetëm nga të drejta dhe që nuk kanë formë fizike; fitimi kapitali nga dhurimi; të ardhura bruto të realizuara jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë si dhe të ardhura bruto të tjera të papërmendura më lart.

Ndërkaq, tatimpaguesit duhet të jenë të kujdesshëm në plotësimin e deklaratës, pasi në rast pasaktësish parashikohen edhe penalitete për individin deklarues.

Dorëzimi i deklaratës bëhet vetëm në rrugë elektronike, përmes sistemit e-Filing./ATA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: