ELBASAN- Kryeministri Edi Rama ka udhëtuar sot drejt Peqinit, ku është takuar me fermerët, me të cilët ka diskutuar problemet në bujqësi dhe investimet e qeverisë por nuk kanë munguar as deklaratat politike. Një ditë pasi partia e kancelares gjermane, Angela Merkel tha se Shqipëria nuk i ka përmbushur kushtet për hapjen e negociatave dhe se nuk do të rekomandohet hapja e tyre, Rama bën fajtor për këtë vendim sistemin e drejtësisë.

Nga Peqini ai akuzuar gjykatat duke u shprehur se ato janë kthyer në pazar, ku e drejta blihet dhe shitet. Madje kryeministri aludoi se Partia Demokratike ka nën pushtet drejtësinë.

“Çështja e pronës, në vend nuk ka sistem drejtësie. Gjykatat janë kthyer në pazar, e drejta blihet e shitet. PD na ka ngritur barrikada me gjykatësit. PD e gjykatësit kërkojnë ta bllokojnë reformën në drejtësi. Europa tha ‘Pastroni sistemin, ndryshe s’ka negociata’”, deklaroi Rama.

Rama nuk ka kursyer as akuzat ndaj qeverisë së kaluar dhe ish-kryeministrit.

“Çfarë u shkatërrua në 25 vite, nuk ndërtohet në 3 vite. Saliu thoshte rrugë, bënte tenderë e kontrata pa lekë”, tha Rama.

Ai tha se u trashëguan probleme të mëdha në bujqësi, duke nisur nga kanalet ujitëse deri tek zbatimi i ligjit 7501.

“Trashëguam probleme të mëdha në bujqësi. Kanalet kulluese nuk u pastruan asnjëherë për 25 vite. Të angazhuar të pastrojmë kanalet ujitëse. Krijuam fond të garancisë për fermerët me 0 interesa. Është shteti që jep garancinë, jo fermeri. Ligji i pronës, i famshmi 7501 nuk u zbatua asnjëherë. Blemë 75 ekskavatorë, i fundit që ishte blerë në 2005”, tha kreu i qeverisë.

Ndërsa banorët janë ankuar se nuk arrijnë të nxjerrin të ardhura nga bujqësia për shkak të problemeve infrastrukturore, siç janë problemet me vaditjen e kullimin për shkak të kanaleve të bllokuara.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: