TIRANË

Deputeti i PD Tritan Shehu ka reaguar pas fjalës së ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu në interpelancën e thirrur sot në parlament për situatën e COVID-19 në vend dhe menaxhimin nga qeveria.

Ai tha se asgjë nuk ishte reale në deklaratat e saj, duke akuzuar qeverinë për fshehjen e vdekjeve dhe infektimeve. Sipas Shehut, maxhoranca nuk mori parasysh asnjë nga sugjerimet e opozitës, teksa shtoi se amullia me pandeminë vazhdon.

“Fjala juaj e mbushur plot me sofizma, asgjë reale dhe ishte thjesht një fjalë e mbajtur në linjën tuaj e cila bazohet vetëm tek fasada dhe jo tek përmbajtja.
Ju penalizuat dhe përjashtuat dhe sistemin parësor, duke e përqendruar çdo gjë tek ajo urgjencë çalamane duke i braktisur njerëzit. Bllokuat sistemin spitalor duke koncentruar gjithçka në Tiranë. Nuk lejuat spitalet periferike të ishin pjesë e kësaj përpjekje masive.
Zgjatët vetëm disa tuba bakri. Kërkuam vënien në gatishmëri të 150 posteve të reanimacionit, humbjet ishin tragjike. Nuk morët asnjë masë efektive për mbrojtjen e mjekëve. Përfundimi, 50 mjekë që humbën jetën duke na vendosur ndër 3 vendet me humbjet më të mëdha të mjekëve në raport me numrin e popullsisë. Vepruat në mënyrën më hermetike me laboratorët e testimit.
Ju nuk e dini sa kanë shpenzuar shqiptarët për antiviralët që ju nuk i liberalizuat kurrë. Në Gjermani një test i shpejtë blihej 6 euro, tek ne iu shitej shqiptarëve në nën dorë 60-70 euro.
Shqipëria sot ka 16 mijë humbje jete deri në korrik, 50 mjekë të vdekur, duke na vënë të parët nga fundi në Europë dhe në majat e katastrofës në botë. I kanë thënë institucionet ndërkombëtare këto shifra. Janë fshehur vdekjet dhe rastet e infektimit, duke i rregulluar me një çelës poshtë tavoline. Janë fshehur vdekjet duke ndryshuar diagnozat. Nuk janë deklaruar rastet që kanë marrë mjekim ambulator, në spitalet private dhe jashtë shtetit. Nuk u vendosën rregulla të qarta, u lejua amullia, gjysmë ilegaliteti. Edhe shuma qesharake për rimbursimin thuajse nuk është prekur. Kjo amulli vazhdon”, deklaroi Shehu.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb