TIRANE- Propozimi i kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta për krijimin e një qeverie teknike që do ta çojë vendin drejt zgjedhjeve, fill pas miratimit me konsensus të reformës në drejtësi, ka “përçarë” dje deputetët e Partisë Socialiste.

Në një reagim në “Facebook”, nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erjon Braçe u shpreh ndër të tjera: “Jo Ilir, ka rrugë tjetër. Populli për reformën në drejtësi, populli për Kushtetutën! Si ka mundësi që vetëm këtë zgjidhje shmangni, as që e përmendni? Nuk ka konsensus partiak pa popullin. Të çojmë Kushtetutën në referendum dhe shqiptarët të vendosin se si e duan drejtësinë, pastrimin e saj dhe gjykatësit e prokurorët që do të shërbejnë pas kësaj”, – shkruan ndër të tjera Braçe.

Por ndryshe mendon deputeti tjetër i PS-së, Parid Cara, i cili po në “Facebook” shkruan se nëse reforma nuk miratohet, vendi nuk mund të presë edhe një vit tjetër. Sipas tij zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen në shtator, sa më shpejt të jetë e mundur.

“Nëse reforma nuk miratohet, vendi nuk mund të presë edhe një vit tjetër. Zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen në shtator, sa më shpejt të jetë e mundur. Askujt nuk i shërben shtyrja deri në agoni e këtij procesi. Një vit me qeveri teknike apo pa qeveri fare, do të thotë korrupsion në tatime, korrupsion në dogana, pasiguri për jetën, pasiguri për pronën, mungesë investimesh, rënie e besimit në ekonomi. Asgjë e mirë nuk i ndodh vendit në një vit me këtë gjendje”, – shkruan Cara.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: