SHKODER- Bashkia e Shkodrës reagon pas deklaratave të kryeministrit Rama në lidhje me stadiumin “Loro Boriçi”. Në një deklaratë të saj bashkia thotë se e ndjen për detyrë të sqarojë opinionin qytetar shkodran në lidhje me deklarimet e bëra gjatë ditës së djeshme të kryeministrit Rama, ndërsa theksojnë se Bashkia ka shprehur gjithnjë dakordësinë për realizimin e investimit në rikonstruksionin e stadiumit, si një investim i rëndësishëm për qytetin dhe për historinë sportive të tij.

Bashkia ndër të tjera thotë se nuk është marrë në konsideratë nga qeveria, madje nuk u ftua as në prezantimin e projektit të rikonstruksionit të stadiumit.

“Në të njejtën kohë, Bashkia ka këmbëngulur, që ky investim të realizohej duke respektuar në maksimum pronën private të qytetarëve në zonën ku do të kryhet ky investim. Bashkia Shkodër ka qenë e gatshme të bashkëpunojë institucionalisht për të gjitha përgjegjësitë dhe detyrimet e saj, gjë e cila nuk është marrë asnjë herë në konsideratë nga qeveria e cila nuk është ftuar asnjëherë zyrtarisht në këtë proces.
Si në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Territorit për miratimin e projektit të rikonstruksionit të stadiumit, e cila megjithëse u zhvillua në qytetin e Shkodrës, Bashkia nuk u ftua të jetë e pranishme në këtë vendim marrje. Ashtu edhe ditën e djeshme, ku në ceremoninë e fillimit të punimeve për rikostruksionin e stadiumit nuk ishte pjesë e kësaj ceremonie, por çuditërisht ishte e ftuar kandidatja e PS+LSI për bashkinë Shkodër, sikur këto fonde të ishin fonde private të partive respektive dhe jo fonde publike të taksapaguesve shqiptarë”,-thuhet në deklaratën e Bashkisë së Shkodrës.

Më tej në reagim theksohet se, “Bashkia Shkodër komunikimin me qeverinë e konsideron si një komunikim institucional dhe jo një bashkëpunim qokash apo takimesh personale me kryeministrin për të përfituar financime projektesh”.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: