ATHINË – Pas zhurmës së krijuar në media nga deklaratat e kryeministrit Edi Rama, se Akropoli u shpëtua prej një shqiptari, por edhe përplasjeve me tone të larta mes Athinës dhe Tiranës për situatën në Himarë, Ministria e Jashtme greke ka thirrur për sqarim ambasadorin shqiptar, Dashnor Dervishi.

‘News24’ konfirmon zyrtarisht se zotit Dervishi i janë kërkuar shpjegime lidhur me deklaratat nga pala shqiptare. Sipas burimeve zyrtare, tonet e bisedimeve kanë qenë konstruktive dhe në frymën e dialogut. Drejtori i pergjithshëm politik në MPJ greke, Mavroidis në emër të palës greke ka ngritur shqetësimin për tonet jodiplomatike të kryeministrit Rama, por edhe për deklaratën e Ministrisë së Jashtme shqiptare, e cila sipas Athinës përmbante një qasje agresive që nuk i shërben uljes së tensioneve.

Burimet thanë për ‘NEWS 24’ se edhe ambasadori shqiptar ka tërhequr vëmendjen e Athinës për qëndrimin e Ministrisë së Jashtme greke, që për palën shqiptare konsiderohet si ndërhyrje flagrante dhe pa takt në çështje të brendshme të Shqipërisë.

Gjithësesi, të dyja palët ranë dakord se ulja e toneve konsiderohet si emergjente, pa qenë i nevojshëm përshkallëzimi në drejtim negativ i marrëdhënieve dypalëshe.

Dakordësia mbi çështjet me interes të përbashkët duhet të dominojë mbi deklaratat emocionale, kanë pohuar njëzëri palët gjatë takimit në Ministrinë e Jashtme greke.

Ndërkohë, në Athinë kanë qenë partitë politike të opozitës që kanë kërkuar mbledhjen me urgjencë të Këshillit të Lartë të Politikës së Jashtme lidhur me deklaratat e kryeministrit Rama, por edhe për unifikimin e politikës greke në mbrojtje të minoritetit grek të Himarës.

Disa deputetë, me në krye ish-ministren e Jashtme Dora Bakojanis, kanë kërkuar marrjen e masave drastike për të penguar ekspansionin e qeverisë Rama në marrëdhëniet dypalëshe.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb