Nga: JULIANA KNEZI*

TIRANE- Eurodeputeti Eduard Kukan ka thënë se u nervozua kur dëgjoi deklaratat e kryeministrit Rama rreth së ardhmes Kosovë-Shqipëri, bën të ditur gazeta serbe “Blic” dhe është shprehur se nuk i pëlqejnë deklarata të tilla.

Sipas gazetës “Blic”, e cila nuk e citon shprehimisht deklaratën, “Rama u shpreh javën e kaluar se Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen ose nëpërmjet anëtarësimit në Bashkimit Europian ose në mënyrë klasike” dhe pikërisht për këtë deklaratë, “Blic” ka kërkuar komentin e eurodeputetit Kukan.

Ndërkaq, Kukan foli edhe për çështje të tjera si marrëdhënia e Serbisë me Bashkimin Europian dhe Rusinë. Kukan tha se marrëdhëniet mes Serbisë dhe Rusisë nuk ndikojnë në mënyrë direkte në negociatat për anëtarësim e Serbisë në Bashkimin Europian, por ndikojnë të gjitha sjelljet dhe vendimet politike, njësoj sikurse edhe imazhi i përgjithshëm i Serbisë.

“Nuk është e vërtetë që një vit pasi një vend bëhet kandidat për në Bashkimin Europian fillon të ndodhë gjithçka, pasi gjërat kalojnë në shqyrtim dhe kjo do të ndodhë së shpejti. Puna juaj së shpejti do të paguhet”- është shprehur Kukan duke shtuar se shpreson që kjo të ndodhë këtë vit.
Më pas ai theksoi se në Parlamentin Europian nuk ka dokument të shkruar që kërkon që Serbia të njohë Kosovën. I pyetur nga “Blic” nëse pjesëmarrja e Serbisë në paradën e Ditës së Fitores në Rusi më 9 maj është problem për Serbisë, Kukan tha se një vendim i tillë i takon Serbisë dhe askush nuk mund t’i tregojë se çfarë të bëjë.
“Megjithatë, asnjë nga vendet e BE-së nuk do të shkojë në Rusi përveç ushtrisë së Serbisë dhe kjo do të përmendet dhe do të mbahet mend nga disa vende të BE-së”- u shpreh Kukan duke shtuar se nuk pritet të ketë pasoja serioze.

I pyetur sërish nga gazeta serbe, nëse Serbia mund të jetë neutrale në lidhje me Bashkimin Europian dhe Rusinë, Kukan u shpreh se është e pamundur në ditët e sotme të tregohesh asnjanës. “Nuk shoh ndonjë avantazh të jesh ura e dikujt, sepse kur ndodh një gjë e tillë, urat janë zakonisht ato që vuajnë”-u shpreh ai.

(ma.ar/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: