TIRANË – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka kërkuar dorëheqjen e kreut të Kuvendit Ilir Meta, pas akuzave të rënda të deputetit, tashmë jashtë PS-së, Tom Doshi. Në një deklaratë për mediat ashtu siç edhe kishte paralajmëruar Lulzim Basha ka akuzuar krerët kryesorë si të implikuar, madje duke i quajtur personazhe mafiozë.

“Në këtë teatër mafioz personazhet mafiozë janë Ilir Meta, Edi Rama, Saimir Tahiri. Tronditja evidente. Një histori me vrasës me pagesë që nuk zhvillohet në bodrumet e mafies por në pallatet, në kupolën e shtetit. Aleanca me krimin po sjell krimin. Kryetari i Kuvendit akuzohet për vrasje, se ka porositur vrasjen e dy deputetëve. Kryetari i Kuvendit duhet të dorëhiqet”, ka theksuar Basha

Kreu i demokratëve i ka kërkuar prokurorisë të hetojë për zbardhjen e akuzave, ndërsa tha se deklaratën e Doshit e bën më të rëndë, fakti se kryeministri Rama kishte dijeni.

“I kërkoj prokurorisë të nisë menjëherë hetimet për zbardhjen e akuzave. Akuza është edhe më tronditëse kur deputeti i maxhorancës thotë se prej 5 muajsh e ka vënë në dijeni kryeministrin për planin e kryeparlamentarit. Kemi kryeministër të implikuar në krim. Kjo nuk është më një çështje që i përket atyre, që i përket dyshes Rama-Meta. Është çështje e dinjitetit të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Përshëndes partnerët tanë. Asnjë shqiptar nuk mund të ketë në krye të parlamentit një person të akuzuar për porositje vrasjeje, dhe kryeministër të implikuar. Çdo minutë që kalon e bën situatën më të vështirë”, deklaroi kreu i PD-së.

Deputeti i PS-së Tom Doshi deklaroi sot se “Ilir Meta ka paguar para për të më vrarë mua dhe Mhill Fufin”, ndërsa siguroi se për këto akuza ka edhe video-regjistrim. Sot grupi parlamentar i PS-së përjashtoi nga radhët e tij, deputetin e Shkodrës Tom Doshi, pas akuzave të forta të tij ndaj qeverisë, kryeministrit Rama dhe kryeparlamentarit Meta.

DEKLARATA E PLOTË E KREUT TË PD, LULZIM BASHA

Jam sonte në këtë komunikim jo të zakonshëm, në ditën kur të gjithë shqiptarët pa përjashtim kanë parë dhe kanë dëgjuar se deri ku shkon inkriminimi i qeverisë, i mazhorancës, i dyshes Rama-Meta. Krim, vrasje, shantazh, dhe në këtë teatër mafioz, personazhet janë Ilir Meta, Edi Rama, Saimir Tahiri, dhe deputetët e tyre deri dje më të besuarit, sot të kthyer në shënjestra.

Tronditja është evidente për çfarë dëgjuam e po dëgjojmë, për çfarë kemi mësuar e po mësojmë. Indinjata gjithashtu. Një histori me vrasës me pagesë që nuk zhvillohet në kthinat dhe bodrumet e errëta të mafias, por në  pallatet kryesore të politikës shqiptare, në kupolën e dyshes politike që qeveris Shqipërinë.

Kjo ka ndodhur, ky është realiteti. Ne kemi paralajmëruar që herët se aleanca me krimin, do të sjellë krime, asgjë tjetër.

Kryetari i Kuvendit akuzohet për vrasje. Akuzohet se ka porositur vrasjen e dy deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.

Kryetari i Kuvendit duhet të dorëhiqet menjëherë nga detyra që ushtron dhe të vihet në dispozicion të drejtësisë për tu hetuar mbi akuzën më të rëndë të bërë ndonjëherë në politikën shqiptare në këto 25 vite.

Parlamenti nuk mund të mbajë në krye të institucionit një person nën akuzë nga të zgjedhur të mazhorancës, se ka paguar për të vrarë dy deputetë.

I kërkoj Prokurorisë të nisë menjëherë hetimet për zbardhjen pa humbur kohë të akuzave të bëra publike.

Akuza bëhet edhe më tronditëse, kur deputeti i mazhorancës thotë se prej 5 muajsh ka vënë në dijeni kryeministrin e vendit për planin e kryeparlamentarit për vrasjen e dy deputetëve.

Më e pakta, kemi sot një kryeministër dëshmitar në krim. Deri ku shkon implikimi i Edi Ramës e Saimir Tahirit, personazhe kyçe në këtë histori krimi e vrasjesh?

Kjo nuk është më një çështje që u përket atyre, çështje e brendshme e dyshes Rama-Meta, e zhytur në krim dhe korrupsion, dyshe e kthyer në një barrë të padurueshme për qytetarët e vendit. Kjo kronikë e paralajmëruar, është pasojë e paktit kriminal të  denoncuar nga ne që në ditët e para të krijimit të kësaj aleance mafioze.

Për këtë arsye, kjo është një çështje që u përket të gjithë shqiptarëve. Është një çështje e dinjitetit të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Me këtë rast falënderoj dhe përshëndes qëndrimet e partnerëve tanë, SHBA dhe BE, në mbështetje të procesit të dekriminalizimit. Asnjë shqiptar nuk mund të pranojë të ketë në krye të Kuvendit të Shqipërisë një shtetas të akuzuar për porositjen e dy vrasjeve. Nuk ka shqiptar të pranojë një kryeministër bashkëpunëtor në këtë skenar.

Asnjë qytetar i vendit, jam i bindur, nuk mund ta njohë Ilir Metën si Kryetar të Parlamentit, dhe as Edi Ramën si kryeministër, të dy nën akuzë, njëri të organizimit të vrasjes, tjetri si dëshmitari që hesht.

Çdo minutë që kalon, vetëm e përkeqëson pozicionin e kryetarit të kuvendit dhe të kryeministrit, vetëm e kthen Shqipërinë prapa, e bën me njollën më të zezë para Europës e mbarë botës. Partia Demokratike është e vendosur që të mos e lerë Shqipërinë të mbahet peng i serialeve mafioze dhe kriminale!

Ata dhe klani i tyre i ngushtë janë një grusht njerëzish të rrezikshëm e me pushtet, por janë tartabiqe përpara popullit sovran që do ta çlirojë veten nga ky tumor malinj. Dhe ne do t’i prijmë kësaj sfide të madhe të shqiptarëve.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb