Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varheli, deklaroi gjatë një vizite në Tiranë se reforma zgjedhore është kusht për konferencën e parë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së.

Ai shtoi se vijimësia e reformave është shumë e rëndësishme për ecjen përpara të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Zoti Varheli mbajti pasdite një fjalim para Kuvendit të Shqipërisë, si pjesë e vizitës, gjatë të cilës po zhvillon takime me përfaqësuesit kryesorë të shtetit dhe politikës shqiptare.

Komisioneri Europian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin Oliver Varheli e nisi vizitën në Tiranë me një fjalim në parlament, ku theksoi se e ardhmja e Shqipërisë dhe rajonit është integrimin në Bashkimin Europian.

Ai renditi një seri projektet për investime të BE-së në rajon për transportin, energjinë, duke nënvizuar se Plani i investimeve ekonomike që u miratua dje në Bruksel për rajonin do të mbështesë ecurinë e reformave në vendet e rajonit.

Më pas ai trajtoi temën e reformës zgjedhore, si pika më e ndjeshme politike së fundi në Tiranë, por që mori edhe vëmendjen e BE-së

“Si komisioner i Zgjerimit kam mirëpritur rezultatin pozitiv të marrëveshjes së 5 qershorit 2020 për zgedhjet, e cila zbaton rekomandimet e OSBE / ODIHR-it. Inkurajoj të gjitha palët që të mbajnë fokusin tek këto reforma të domosdoshme të Shqipërisë, përfshirë reformat që parashikohen në marrëveshjen e 5 qershorit. Më lejoni që të jem i qartë: Reforma zgjedhore është kusht për konferencën e parë ndërqeveritare” – tha komisioneri Varheli.

Ai shtoi se Shqipëria ka treguar vendosmëri për të përmbushur reformat në sistemin e drejtësisë dhe në fusha të tjera dhe po përmbush detyrimet para mbledhjes së parë ndërqeveritare.

“Shqipëria duhet të ruajë ritmin e këtyre përpjekjeve, të vijojë me reformat përkatëse në fushat që janë identifikuar qartë në përfundimet e marsit të këshillit të BE-së. vijimësia e këtyre reformave do të jetë shumë e rëndësishme sa i përket kuadrit negociues. Të gjitha institucionet do të duhet të punojnë me njëra tjetrën për të bërë të mundur që Shqipëria të vazhdojë të ecë përpara në rrugëtimin e saj drejt BE-së, kjo në të mirë të qytetarëve të Shqipërisë” – tha Varheli.

Ai theksoi se marrëveshja e 5 qershorit ishte një arritje me rëndësi në procesin e integrimit europian dhe tani Shqipëria është në një moment kyç, kur gjendet më pranë se kurrë Bashkimit Europian.

“Ne jemi tashmë në një moment kyç, kur Shqipëria është më pranë se kurrë përpara BE-së, prandaj kontributi juaj, kontributi i të gjitha forcave dhe segmenteve të shoqërisë është kyç dhe me vendosmëri për të ardhmen. Le ta marrim atë tjetër për të ardhmen e Shqipërisë” – tha zoti Varheli.

Pas fjalës në parlament, zoti Varheli zhvilloi një takim me drejtues të procesit të vettingut në sistemin e drejtësisë, ku nënvizoi rëndësinë e madhe, që ka ky proces për Shqipërinë. Gjatë vizitës në Tiranë komisioneri Europian për zgjerimin, Oliver Varheli po takohet me Presidentin Ilir Meta, kryeministrin Edi Rama dhe me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Një ditë më parë Komisioneri Varheli publikoi Paketën e Zgjerimit 2020 dhe Planin Ekonomik dhe të Investimeve për Ballkanin Perëndimor.

Komisioni Europian vlerësoi ecurinë e Shqipërisë në rrugën e Integrimit dhe në objektivat për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Bashkimin Europian, duke shënuar përparim në reforma kyçe. /Zëri i Amerikës/

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb