NGA ERJON SKËNDAJ*

TIRANE- Dy ditë pas deklaratës së kryetares së komisionit parlamentar të shëndetësisë Albana Vokshi ka reaguar shërbimi i infektivit në spitalin “Nënë Tereza”. Drejtues të Infektivit thanë për News 24 se ka patur 6 pacientë të vdekur me HIV-AIDS në dy muajt e fundit prill-maj por sipas mjekëve të sëmurët janë paraqitur në spital në stadin fundor të sëmundjes.

Drejtues të shërbimit infektiv pranojnë se ka vite që ka probleme me furnizimin e disa medikamenteve retroviral që shërbejnë për terapitë e kombinuara, por kjo sipas tyre nuk ka ndikim tek vdekshmëria pasi kurat për të sëmurët janë plotësuar me barna alternative.

Shefi i Shërbimit Infektiv në QSUT, doktor Dhimitër Kraja, thotë për Neës24 se 6 të sëmurët me HIV-AIDS janë paraqitur në shërbimin infektiv në gjendje kritike për jetën.

Mjekët pranojnë se ka patur mungesa në furnizimin e infektivit me disa medikamente retroviral duke nisur nga muaji shkurt 2016 e në vazhdim sikundër është ilaçi EFAvirus që shërben për terapitë e kombinuara.

“Por deficiti në disa medikamente nuk ka rrezikuar kurat për të sëmurët me HIV-AIDS”, deklaron shefi i departamentit të Infektivit në universitetin mjekësor të Tiranës, Arjan Harxhi.

Sipas ekspertëve efektet negative tek pacientët me HIV-AIDS që marrin kura të paplota rrezikojnë të kthehen në një problem serioz pas 4 apo 5 vitesh nga sot, por për momentin nuk kanë ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin e tyre.

Lajmi i vdekjes së 6 pacientëve me HIV-AIDS në Spitalin “Nënë Tereza” u mbajt sekret nga strukturat e QSUT derisa u denoncua nga kryetarja e komisionit parlamentar të Shëndetësisë Albana Vokshi. Për ngjarjen opozita akuzoi ministrin e shëndetësisë Ilir Beqaj duke deklaruar se humbja e jetëve ishte pasojë e mungesës së medikamenteve retroviral në Shërbimin Infektiv, mungesë që sipas tyre kishte katër muaj që denoncohej nga të sëmurët me HIV. Përballë akuzave kreu i shëndetësisë Ilir Beqaj tha se nuk kishte asnjë informacion për ngjarjen.

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: