Analistët Artur Zheji dhe Fatos Lubonja komentuan në emisionin “Pikat mbi i”, në News24, deklaratat e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit në Shqipëri, i cili theksoi se sondazhet lëvizin me 1-3% dhe pas liderit të opozitës, Lulzim Basha, qëndron ish-kryeministri Sali Berisha.

Në analizën e tij, Lubonja u shpreh se është e rrejshme deklarata e Vuçiç se vetëm Sali Berisha flet për Shqipërinë etnike, pasi sipas tij, një gjë të tillë e ka bërë edhe Edi Rama, madje aksionet e këtij të fundit kanë qenë më të forta.

Ndërsa për analistin Zheji Vuçiç bëri të njëjtën gjë që po bën Rama në fushatë elektorale, që relativizon peshën e Lulzim Bashës, duke ngritur dyshime që deklarata e Presidentit serb të jetë përkthyer nga shqipja në serbisht dhe ai thjesht e ka lexuar.

Pjesë nga diskutimet:
Deklarata e Vuçiç, a po hyn Beogradi në fushatën zgjedhore në Shqipëri?
Lubonja: Po, e ka bërë dhe Rama në Mal të Zi. Mund t’i bësh disa komente deklaratës së Vuçiç. E para është se ndoshta Vuçiç nuk e di se duke e mbështetur Ramës më shumë i prish punë, se sa i ndreq punë, popullatës shqiptare. Peshon më shumë mbi shumicën e njerëzve, se mbi Ramën. E dyta, është e rrejshme kjo deklarata që vetëm Sali Berisha flet për Shqipërinë etnike, sepse kjo ka qenë dhe e Ramës, madje aksionet e tij kanë qenë dhe më të forta. Aksioni i fundit që Vuçiç bëri me Ramën ishte pikërisht aksioni për ndryshimin e kufijve të Kosovës, ku Vuçiç merrte një copë. Besoj se Vuçiç i jep një ndihmë Ramës, duke qenë figurë e njohur ndërkombëtarisht, sepse duke etiketuar kundërshtarët e tij si rrezik për Ballkanin, duke krijuar Shqipërinë e Madhe, ndikon në qarqe të caktuara për ta paraqitur Ramën si figurë të moderuar, me vizion evropian. Kjo mund t’i japë mbështetjen, që Rama kërkon.

Zheji: Mendoj që kemi një krahasim si dy pika uji mbi situatën politike në Shqipëri. Nëse Rama në fushatën elektorale relativizon peshën e Lulzim Bashës, të njëjtën gjë bën dhe Vuçiç. Ndoshta atij i përkthejnë një tekst nga shqipja në serbisht dhe Vuçiç e lexon, sepse nuk ka nga ta dijë Vuçiç raportin e Bashës me Ramën, dhe të njëjtën gjë që i thotë Rama, pra që pas Bashës fshihet Berisha. Vuçiç nuk ka kompleks ta bëjë deklaratën haptazi, sepse ai do të krijojë rrezikun “Basha”, rrezikun e opozitës, dhe krijon alarmin te Merkel, e të tjerët, se nëse këtu fiton opozita, situata del nga kontrolli. Mua më duket një diversion i pastër.

Lubonja: Vuçiç kërkon Ramën partner, ashtu si dhe Erdogan. Rama ka krijuar interesat e tij qoftë për Vuçiç, qoftë për Erdogan. Opozita nuk e ka përdorur sa duhet këtë mbështetje, që është problematike për shqiptarët.

Zheji: Në disa raunde Rama dhe Vuçiç kanë shkëmbyer disa kredite në favor të të tretëve. Kjo ka ndodhur kryesisht në mandatin e parë të Ramës, kur shkoi disa herë në Beograd, dhe favoret i merrte Merkel. Vuçiç mori, me ndihmën e kryeministrit shqiptar, një shfajësim, edhe pse nuk arrit marrëveshja mes Serbisë dhe Kosovës. Është e turpshme, pasi ishte bashkë me Millosheviç për shfarosjen e shqiptarëve të Kosovës. Ajo çka Vuçiç bëri si personazh, edhe me ndihmën e kryeministrit Rama, është se u pastrua. Tani Vuçiç po i rikthen borxhin.

Lubonja: Ai sulmon Berishën që është për bashkimin, ndjehet krenar që po mbron status-quon, hartën siç është, dhe lidhjen ua lë të tjerëve ta bëjnë. Indirekt nënkuptohet se Rama është njeriu që ai e pranon më shumë për të mbrojtur këtë situatë. Berisha ka bërë disa deklarata që kanë qenë shqetësuese për kancelarinë ndërkombëtare. Deklarata më e papranueshme ishte kur tha se shqiptarët duhet të jetojnë në 5 shtete, ku përfshihej Shqipëria, Mali i Zi, Serbia, Kosova, Maqedonia, ndoshta ai nënkuptonte dhe Greqinë. Basha është treguar më i kujdesshëm, nuk ka bërë deklarata të tilla, nuk ka bërë deklarata kundër këtij vizioni, por unë mendoj se retorika e të dy partive tona, kur vjen puna për bashkimin, është ambigue. Gjëja më konkrete, që ka qenë problematike për ndërkombëtarët, ka qenë ajo që bëri Rama, ndryshimi i kufijve të Kosovës, që nënkuptonte ndryshim të kufijve të Ballkanit.

Zheji: Si një ish-ministër i Jashtëm dhe që e njeh mirë diplomacinë, Basha nuk i bën këto gabime. Edhe Berisha apo Rama mund të bëjnë ndonjë lapsus, por e dinë shumë mirë se ndryshimi i kufijve nuk bëhet pa ndërkombëtarët. Nëse hapet dritë jeshile për nacionalizëm shqiptar, do të thotë ndezja e një lufte në Ballkan. Nuk mendoj se Vuçiç e ka seriozisht kur e thotë, ai më tepër ndoshta nxit Moskën. Ai i thotë Moskës që “dëgjo, mua po më vështirësohet situata”. Moska është sponsor kryesor ushtarak i Serbisë. Është e çuditshme si është toleruar nga SHBA dhe BE ndërtimi i një baze të tillë ushtarake ruse në Serbi. Pra, Vuçiç bën një lojë të trefishtë, këtej si vdes për BE, këtej i lidhur me Moskën dhe nga ana tjetër i buzëqesh Merkelit. Është kjo lojë që i ka nxjerrë gjithmonë plot serbët.

Lubonja: Nuk jam plotësisht dakord me këtë që thotë Zheji. Ai përmend Moskën, por po t’i bëjmë një analizë, projekti Vuçiç-Rama për Kosovën, nuk ishte i Moskës, por Amerikan, ku ka luajtur rol edhe në ardhjen e Trump. Është fat që fitoi Biden dhe mbaron ky proces. Edhe Amerika ka interes ta mbajë Serbinë këtej, jo andej, ndaj Vuçiç është bërë faktor më i rëndësishëm se ka qenë përpara. Kështu që, kjo mbështetje që ai i jep Ramës, ka peshë. Ka qenë politikë e Trump kjo që ka bërë Vuçiç dhe ka qenë tregues i faktit se Serbia është bërë faktor më i rëndësishëm.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb