Zëvendëskryetari i LSI-së Luan Rama ka reaguar pas deklaratave të përfaqësuesve të maxhorancës për dekorimet e bëra nga Presidenti i Republikës Ilir Meta. Luan Rama tha sot se në papërgjegjshmëri të plotë, zëdhënësja e qeverisë, i cilësoi të rënët për lirinë dhe pavarësinë e atdheut si “ushtri e të vdekurve” dhe e errësuar prej mllefit për të sulmuar dhe për të anatemuar me çdo mjet Presidentin e Republikës, e cilësoi atë “gjenerali i ushtrisë së vdekur”.

Sipas tij, është e ligë përpjekja për të përfshirë në luftën politike të ditës, ata që i falën jetën dhe gjakun Shqipërisë. Luan Rama thekson se për cilindo që artikulon, që ushqen apo që nxit gojë të liga të thonë të tilla fyerje, si përgjigje vlen shprehja e mençur vlonjate, “nuk pëgëret deti, nëse fut turinjtë një mi”.

DEKLARATA E PLOTË
Në respekt të ndjeshmërisë tonë kombëtare ndaj dëshmorëve të atdheut, në nderim të të gjithë atyreve që e lidhën jetën me Shqipërinë dhe ju falën asaj, jam i detyruar të sjell në vëmendjen tuaj sërish një qëndrim provokues, fyes, poshtërues dhe denigruese nga një anëtar i qeverisë së Republikës së Shqipërisë.

Në papërgjegjshmëri të plotë, zëdhënësja e qeverisë, i cilësoi të rënët për lirinë dhe pavarësinë e atdheut si “ushtri e të vdekurve” dhe e errësuar prej mllefit për të sulmuar dhe për të anatemuar me çdo mjet Presidentin e Republikës, e cilësoi atë “gjenerali i ushtrisë së vdekur”.

Natyrisht, keqpërdorimi i titullit të romanit më të famshëm të letërsisë shqipe të shkrimtarit tonë të nderuar Ismail Kadare, më shumë sesa mosnjohje të historisë na dëshmon se individi në fjalë nuk e ka idenë farë se për çfarë bën fjalë romani, por kjo është një temë tjetër.

Referuar gojës që i artikuloi të tilla fyerje poshtëruese duke krahasuar të rënët me ushtritë e vdekura pushtuese, nuk do ta ulja veten të merresha e për më tepër, nuk do t’u imponohesha në këtë kohë juve duke iu referuar një personazhi që të gjithë e neverisni, por, për sa kohë këtë qëndrim e mban qeveria e Republikës së Shqipërisë, akti nuk është më vetëm provokatim, por një qëndrim i qellimtë, si pjesë e një strategjie që synon përmes përbaltjes dhe rivrasjes së të rënëve në Shqipëri dhe dhe dënimit të heronjve të UÇK-së në Kosovë, të vrasë identiteti tonë kombetar, synon të fshijë gjurmët e krenarisë së historisë tonë kombëtare, duan ta lenë atdheun pa dëshmorë e pa heronj!

Mirëpo, a mund të ketë atdhe pa heronjtë dhe pa dëshmorë?
Është e ligë përpjekja për të përfshirë në luftën politike të ditës, ata që i falën jetën dhe gjakun Shqipërisë.

Por, nëse dikush ndihet keq dhe nuk i pëlqen që Presidenti i Republikës nderoi në emër të shtetit dhe të popullit shqiptarë kapedanët e luftës së Vlorës të 1920-ës me Selam Musa Salarinë e Sali Vranishtin në krye dhe shumë e shumë të tjerë, dhe e përdor këtë fakt për interesa të ulëta politike të ditës duke thënë se Presidenti dhe varrmihësit e tij po merren me të vdekurit e para 100 viteve, dëshmon në thelb se çfarë ligësie mban, se çfarë ligësisë shpreh qeveria e Republikës së Shqipërisë ndaj kësaj lufte dhe jo vetëm ndaj saj, por ndaj të gjithë të rënëve në Shqipëri, ndaj gjithë të rënëve në Kosovë dhe të gjithë të rënëve të historisë tonë kombëtare.

Natyrisht, të tilla zëra ka patur dhe do të ketë, por është e pafalshme që të tilla zëra vijnë nga qeveria e asaj partie, pasardhëse e partisë që drejtoi Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe ushqeu kultin e dëshmorit e të heroit në historinë e Shqipërisë.

Por, kjo është vetëm njëra prej shfaqjeve, është ky njëri prej episodeve të shëmtisë së qeverisë të Republikës së Shqipërisë ndaj të rënëve, prandaj ajo që duhet të bëjë sa më parë të paktën Partia Socialiste, nëse ka mbetur në radhët e saj ndonjë socialist, është distancimi dhe dënimi i të tilla deklaratave, i të tilla qëndrimeve që nuk i bëjnë nder, jo Partisë Socialiste, por askujt që i mendon apo i artikulon.

Lavdia dhe madhështia e dëshmorëve dhe heronjëve të Shqipërisë është e paprekshme, sepse ajo ndrin siç ndrijnë yjet në qiell, në historinë e Shqipërisë.

Ndaj, për të mos e zgjatur më tej, po e mbyll këtë qëndrim zyrtar në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim, se për cilindo që artikulon, që ushqen apo që nxit gojë të liga të thonë të tilla fyerje, si përgjigje vlen shprehja e mençur vlonjate, “nuk pëgëret deti, nëse fut turinjtë një mi”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb