Dekomunistizimi jo si paketë ndaluese, por parandaluese për diktaturën e së ardhmes
Dekomunistizimi është një proces i gjatë, maratonë, jo kros 100-metërsh, dhe në Shqipëri ai është ende në hapat e parë.

Edhe shoqërisë gjermane së pasluftës iu deshën pothuajse kaq dekada për të filluar seriozisht denazifikimin. Por në Gjermani “detyrat e shtëpisë” u bënë qysh pas humbjes së luftës: tekstet e historisë u shkruan sagllam, gjyqi i Nyrembergut dënoi 177 persona, televizionet dhe mediat e dënuan regjimin totalitar dhe qytetarët gjermanë sot e kësaj dite paguajnë dëmshpërblimin moral dhe financiar për hebrenjtë “gjermanë” ndaj të cilëve u shkaktua Holokausti.

Nëse ndonjë student e përdorte në orën e seminarit foton e Hitlerit – gjatë studimeve të mia në Universitetin J.W.Goethe të Frankfurtit – vetëm bardhezi dhe me një X të madh përsipër. Kjo më ka mbetur fort në mendje dhe sa herë bie rasti ua përsëris studentëve dhe të rinjve me të cilët më lidh mësimdhënia dhe puna.

Për shkak se në Shqipëri nuk janë bërë “detyrat e shtëpisë” – si dy gabimet më kryesore do të rendisja: 1) aprovimin (fatal) të ligjit 7 501 që tjetërsoi pronën, dhe 2) mungesën e ligjit të dekomunistizimit që bënte sens menjëherë pas rënies së regjimit komunist – procesi i dekomunistizimit është vështirësuar, por nuk është i pamundur.

Vështirësia më e madhe qëndron në faktin se pjesa më ortodokse e socialistëve në pushtet – nostalgjikët, ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit dhe të organeve represive, të zbuluar dhe të pazbuluar publikisht, si dhe të privilegjuarit e tjerë gjatë regjimit komunist – ka angazhuar një makineri të tërë propagandistike, që veçanërisht prej vitit 2013 e këtej po punon në mënyrë sistematike për ta shkruar historinë sipas një agjende të caktuar.

Ju ftoj të vëzhgoni me kujdes se kush promovohet dhe për cilat tema. Do të kuptoni se qëllimi i PS-së është RISHKRIMI dhe TJETËRSIMI i historisë së periudhës 1944–1991 përmes një narrative “moderne” që shkon përtej të majtës dhe të djathtës!

PS-ja është munduar nëpërmjet glorifikimit të së shkuarës komuniste që të krijojë idenë se ajo, si parti pasardhëse e PPSH-së, është shtetformuese dhe ka nxjerrë udhëheqës të mëdhenj si E.H. Këtë fabul e kanë përforcuar prej dekadash edhe historianë e studiues që ndikojnë direkt në breza studentësh dhe kanë akses të plotë në kanalet mediatike. Ka shumë pak zëra të pavarur që janë lejuar të shprehin një narrativë alternative për rolin e vërtetë të PPSH-së dhe Hoxhës gjatë LANÇ-it.

Nxënësit që mbarojnë gjimnazet shqiptare nuk e kanë të qartë se komunistët pas luftës nuk krijuan një shtet, por një antishtet, në thelbin e të cilit ishte përndjekja dhe ekzekutimi i atyre që mendonin ndryshe. Këto janë fakte të pakontestueshme dhe PS-ja nuk është distancuar kurrë nga kjo e shkuar e saj e errët, por vazhdon t’i sugjerojë rinisë se ajo bën shtet (siç ka bërë në të shkuarën).

Ky proces i tjetërsimit të historisë ka nisur herët (që kur përgjegjësit e dënuar të krimeve të diktaturës u shpallën të pafajshëm pasi PS-ja erdhi në pushtet në 1997), por tani ka arritur pikun në fazën e „restaurimit estetik të socializmit“.
Dhe nuk ka ligj dekomunistizimi që ta ndalë.

Atë e ndal vetëm një kundërstrategji, që vendos në thelbin e vet viktimat dhe qëndrestarët e diktaturës, dhe jo persekutorët e tyre!
Atë e ndal vetëm uniteti i komunitetit të të përndjekurve politikë që janë ndërgjegjja morale e shoqërisë shqiptare.

Atë e ndal ndërgjegjësimi i të gjithë shoqërisë se kauza për moslejimin e manipulimit të historisë i drejtohet jo vetëm të tashmes, por veçanërisht të ardhmes.
Sepse dekomunistizimi është shumë më tepër se një paketë ligjore që ndalon dhe censuron: ai duhet trajtuar si garanci që parandalon një diktaturë të re.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb