Pas deklaratave që bëri sot kryeministri Edi Rama dhe dekoratave që iu shpërndan të gjithë atyre që iu bashkuan aksioneve për shuarjen e zjarreve në vend, vjen një reagim nga PD-ja. Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, deputeti Tomorr Alizoti e ka cilësuar organizimin e sotëm në Bazën Ajrore Farkë, një propagandë të neveritshme ku dështimi u shit si sukses.

Sipas tij, qeveria duhet të japë llogari para ligjit se është shpërdoruar detyra, duke shtuar se Forcat e ushtrisë dhe skuadrat e emergjencave civile janë braktisur.

“E domosdoshme që ligji të veprojë kundër zjarrvënësve, por edhe më rëndësishme që përpara ligjit të japin llogari ata që kanë shpërdoruar me detyrën dhe me korrupsionin e kudondodhur të këtij regjimi, të cilët janë zjarrvënësit e financave publike dhe fatkeqësia e qytetarëve shqiptarë.”, shkruan Alizoti.

REAGIMI I ALIZOTIT
Sot, qytetarët dëgjuan edhe njëherë propagandën e neveritshme që prej shumë kohësh përmbys të vërtetën, për t’iu fshehur përgjegjësive dhe për ta shitur dështimin si sukses. Është e qartë për të gjithë, braktisja e forcave të ushtrisë dhe skuadrave të emergjencave civile. Ata u përballën me zjarret me mjete rrethanore ndërsa Rama, shëtiste me helikopterin që duhej të ndihmonte në përballjen me zjarret.
Mirënjohje partnerëve tanë euro-atlantikë dhe Kosovës, pa ndihmën e të cilëve dhe pa vullnetin e personelit të ushtrisë dhe emergjencave, të braktisur dhe lënë në mëshirë të fatit, kostot e keqmenaxhimit, paaftësisë dhe korrupsionit të këtij regjimi, do të ishin edhe më të frikshme për qytetarët dhe pasurinë tonë natyrore.
E domosdoshme që ligji të veprojë kundër zjarrvënësve, por edhe më rëndësishme që përpara ligjit të japin llogari ata që kanë shpërdoruar me detyrën dhe me korrupsionin e kudondodhur të këtij regjimi, të cilët janë zjarrvënësit e financave publike dhe fatkeqësia e qytetarëve shqiptarë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: