TIRANE – Ish-kryeministri Sali Berisha e cilësoi dje “akt çnjerëzor” dekorimin e ish-funksionarëve të Partisë së Punës nga qeveria shqiptare, me rastin e 70-vjetorit të çlirimit të vendit, nëntorin e vitit të kaluar. Ish-kryeministri Sali Berisha, në një status të shkruar në rrjetin social “Facebook”, u shpreh dje: “Kreu i krimit të organizuar, neo-bllokmeni Edvin Kristaq Rama dekoron xhelatët e genocidit komunist!”.

“Të dashur miq, neo-bllokmeni Edvin Kristaq Rama, kreu i meduzës së krimit të organizuar shqiptar, nipi i bllokmenit Spiro Koleka, xhelatit të inteligjencës teknike shqiptare, i biri Kristaq Ramës, njërit prej autorëve të genocidit komunist, me firmën e të cilit u var në vitin 1989 poeti disident Havzi Nela dhe u ekzekutuan me akuza false qytetarë të pafajshëm, pasi rehabilitoi vitin e kaluar Enver Hoxhën, dekoroi sot ish-ministra të Enver Hoxhës dhe drejtues të lartë të policisë famëkeqe të Enver Hoxhës, xhelatë të vërtetë të genocidit komunist”, shkroi dje në reagimin e tij, ish-kryeministri Sali Berisha.

“Ai dekoroi Vito Kapon, ministren dhe ish-sekretaren e Enver Hoxhës, Hitlerit të Pasluftës së Dytë Botërore, të venë e Hysni Kapos dhe xhelat të hierarkisë së lartë të Sigurimit famëkeq të Shtetit, si xhelati Rakip Beqaj, zëvendësdrejtor i Sigurimit të Shtetit; xhelati Xhafer Peci, drejtor për disa dekada i kufirit, në të cilin u vranë qindra dhe mijëra të nisur për në botën e lirë; xhelati famzi Shyqyri Çoku, drejtues të tjerë të lartë të policisë sekrete, gjykatës, prokurorë, persekutorë, vrasës, torturues, përdhu-nues, internues të qindra e mijëra qytetarëve të pafajshëm shqiptarë, intelektualë, klerikë, qytetarë të thjeshtë vetëm e vetëm për besimin e tyre tek Zoti, liria dhe vlerat e saj universale”, u shpreh dje, Berisha.

Duke renditur emrat nga lista e botuar dje në “Gazeta Shqiptare”, Berisha tha: “Në listën e mëposhtme janë emrat e disa prej tyre. Ky akt i pashembullt në prag të 25-vjetorit të lëvizjes studentore është provokacioni tjetër më i rëndë, më i ulët pas rehabilitimit të Enver Hoxhës, që Edvin Kristaq Rama, ky bastard i bllokmenëve mizor, iu bën shqiptarëve që përjetuan kalvarin e egër komunist, që sakrifikuan jetën e rininë e tyre për lirinë dhe vlerat e saj. Ky akt çnjerëzor i dekorimit të xhelatëve barbarë të qindra dhe mijëra shqiptarëve nga neo-bllokmeni Edi Rama, është një provokim i ulët dhe poshtërim i hapur ndaj të gjithë atyre që 25 vite më parë përmbysën në Shqipëri diktaturën komuniste më të egër në Europë”, tha Berisha dje.

Sipas tij, “të dekorosh sot në Shqipërinë anëtare të NATO-s dhe vend kandidat për anëtar në BE, ish-armiqtë e betuar të vendeve të lira të NATO-s dhe BE-së dhe xhelatët e popullit tënd është një sfidë dhe ofendim për miqtë e shqiptarëve në mbarë botën. Ky akt i turpshëm është një thirrje për çdo qytetar shqiptar që i beson lirisë dhe vlerave të saj, që më 8 dhjetor t’u rezervojmë bijve bastardë të bllokmenëve atë që iu rezervuam 25 vjet më parë etërve mizorë”, tha dje ish-kryeministri Berisha.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: