Presidenti Ilir Meta pas dekorimit të tre vëllezërve Frashëri në Përmet ka dhënë një mesazh të fortë për integrimin europian të Shqipërisë.

Meta shkruan se është koha që të ecet në gjurmët e Rilindasve të vërtetë. Sipas tij duhet rrëzuar çdo mur dhe të çlirohemi nga çdo e keqe që mban peng të ardhmen europiane të Shqipërisë.

Ditën e sotme, Meta u ndal në Frashër të Përmetit për të vlerësuar me dekoratën më të lartë ”Dekoratën e Flamurit Kombëtar” vëllezërit Naim, Abdyl dhe Sami Frashëri, veprat e të cilëve i mori si shembull për integrimin europian të Shqipërisë.

 

 

STATUSI NGA ILIR META

Për kontributin e pazëvendësueshëm në zgjimin e vetëdijes kombëtare dhe Rilindjes kulturore e letrare, në shërbim të mbrojtjes së territoreve shqiptare dhe luftës për Pavarësinë e Shqipërisë, pata sot nderin të vlerësoj në vendlindjen e tyre, me Dekoratën e Flamurit Kombëtar, më të lartën në Republikë, vëllezërit Abdyl, Naim dhe Sami Frashëri.

Tre Pishtarë të Dijes dhe Atdhedashurisë, burra shteti me vizion dhe personalitet të jashtëzakonshëm që nuk kursyen asgjë për lirinë dhe lartësimin e kombit shqiptar, me aktualitetin e veprës së tyre na udhëheqin edhe sot drejt integrimit europian.

Është koha për të ecur në gjurmët e Rilindasve të vërtetë, për të rrëzuar çdo mur dhe për t’u çliruar nga çdo e keqe që synon të mbajë peng të ardhmen europiane të Shqipërisë. ????

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb