Nëse në 2016 ish-Presidenti Bujar Nishani do të priste vendimin e Gjykatës Kushtetuese, së cilës iu drejtua për interpretim të kompetencave të kreut të shtetit lidhur me dekretimit të dy ministrave Milva Ekonomi e Arben Ahmetaj, sot nuk do të ishim Anë ngërcin e krijuar mes Presidencës dhe Qeverisë për Sandër Lleshin.

Asokohe Nishani kërkoi nga Kushtetuesja interpretim të nenit 98 pika 1 të Kushtetutës, që ka të bëjë me ndryshimet në qeveri.

Në letrën dërguar Kushtetueses, ish-kreu i shtetit, fliste për një konflikt institucional teksa parashtronte çështjen e dekretit për shkarkimin e dy ministrave; atij të Financave, Shkëlqim Cani dhe të Ekonomisë, Arben Ahmetaj, si dhe vendimin për mosdekretimin e 2 të rinjve, Ahmetajn tek Financat dhe Milva Ekonomin tek Ekonomia.

Ai pretendonte se nuk mund të dekretonte dy emrat e rinj të propozuar nga Kryeministri, për sa kohë që Parlamenti, nuk kishte votuar më parë dekretet për shkarkimin e ministrave në ikje.

Në këto kushte, sipas kreut të Shtetit do ishte i domosdoshëm një interpretim përfundimtar i nenit 98 pika 1 e Kushtetutës, për të sqaruar përfundimisht këto cështje:
– A mund të kërkohet në të njëjtën kohë nga Kryeministri shkarkimi dhe emërimi i një ministri, ndërkohë që nevojitet një afat i caktuar kushtetues që të realizohet procedura e shkarkimit e një ministri?
– A mundet Presidenti i Republikës të emërojë një Ministër të propozuar nga Kryeministri, ndërkohë që Kuvendi nuk i ka dhënë fuqi Dekretit të shkarkimit të ministrit paraardhës?
– Cfarë natyre kanë dekretet e Presidentit të Republikës sa i takon shkarkimit dhe emërimit të ministrave?
– A quhet i rrëzuar apo i pranuar propozimi i Kryeministrit, për emërim apo shkarkim ministri, në rast se Presidenti nuk dekreton atë brenda afatit 7 ditor?
– Sa kohë që dekreti për emërimin e Ministrit është detyrim kushtetues për Presidentin, a ekziston mundësia që Presidenti të kërkojë verifikim të kandidatit të propozuar, nëse ky i fundit i plotëson kriteret kushtetuese dhe ligjore dhe nëse jo, a mund t’i kërkohet Kryeministrit rishikimi i kandidaturës?

Gjykata Kushtetuese nuk mundi të bënte një interpretim nenit të shumëdiskutuar, për shkak se dy ditë pasi e vuri në lëvizje Nishani firmosi dekretimin e ministrave të propozuar nga Edi Rama, duke e zgjidhur po vetë konfliktin institucional.

Për këtë arsye  – tha një burim nga Kushtetuesja – duke qenë se nuk kishte më ngërc mes institucioneve, presidentit nuk iu dha një përgjigje nga institucioni I Gjykatës Kushtetuese.

Dy vite më vonë presidenti Ilir Meta, nuk dekretoi Sandër Lleshin si ministër i brendshëm, me arsyetimin se nuk kishte krijuar bindjen se kandidatura e nominuar nga kryeministri plotësonte kushtet për të ushtruar funksionin. Ndërkaq, Rama do të emërojë Lleshin zv.ministër të Brendshëm, ndërsa paralajmëroi seancë tëjashtëzakonshme për të votuar dekretin e presidentin për shkarkimin e Fatmir Xhafajt.

Në këtë situatë, pyetja që shtrohet është: A veproi Ilir Meta veproi në përputhje me Kushtetutën duke mos dekretuar Sandër Lleshin?

Fjala e fundit do ti takonte Gjykatës Kushtetuese, e cila nuk funksion prej muajsh e për këtë arsye, askush sdo mund ta thotë me siguri nëse presidentoi Meta veproi ose jo në përputhje me Kushtetutën.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb