Në letrën drejtuar Presidentit, Sandër Lleshi shkruan se heq dorë nga vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit, dhe të gjitha pasojave që burojnë prej tij, duke i kërkuar Metës të njohë vendimin e Presidentit të asokohe, Bujar Nishani, për lirimin e tij nga detyra.

Në letrën drejtuar Kreut te Shtetit, Lleshi shkruan se prej 28 vitesh ka ushtruar detyra të ndryshme si ushtarak aktiv, ndërsa prej vitit 2013 është nxjerrë në lirim me anë të një dekreti nr. 8189, datë 21.5.2013.

Lleshi vijon duke theksuar se vendimin e presidentit aso kohe e ka kundërshtuar në rrugë gjyqësore pranë gjykatës administrative, e cila vendosi pranimin e padisë së tij, në 7 dhjetor 2017.
Lleshi thekson se vendimi gjyqësor i formës së prerë i jep atij të drejtën ndër të tjera për t’u riemëruar si ushtarak aktiv në Forcat e Armatosura, me një dekret të ri të Presidentit, pas propozimit të ministrit të Mbrojtjes, dhe për të rimarrë gradën dhe pozicionin e mbajtur para dekretit të kundërshtuar gjyqësisht.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

“Për këtë qëllim, në vitin 2018 i kam kërkuar Ministrit të Mbrojtjes nxjerrjen e akteve të cilat mund të rregullonin pasojat e shkaktuara nga dekreti i Presidentit mbi lirimin tim, i shfuqizuar gjyqësisht.Ministria e Mbrojtjes në kushtet e kundërshtimit të vendimit në Gjykatën e Lartë ka vazhduar të më konsiderojë gjyqfitues në pritje të përfundimit të procesit gjyqësor” shkruan Lleshi, ndërsa thekson se deri në momentin e daljes së këtyre akteve, ai ka cilësinë e gjyqfituesit, por jo të ‘ushtarakut aktiv’.

“Në linjë me këtë interpretim është edhe fakti se unë kam ushtruar detyrën e këshilltarit politik pranë kryeministrit, detyrë e cila në zbatim të drejtpërdrejtë të nenit 167 të Kushtetutës shkakton papajtueshmëri me statusin e ushtarakut aktiv të Forcave të Armatosura. “ vijon ndër të tjera Lleshi.
Në përfundim të letrës për kreun e shtetit Lleshi shkruan se në cilësinë e gjyqfituesit me institucionin e presidencës dhe me Ministrinë e Mbrojtjes, heq dorë plotësisht nga të gjitha të drejtat që burojnë nga zbatimi i vendimit nr. 5137 datë7.12.2017 të Gjykatës Administrative të Apelit. Lleshi thotë se një njoftim të njëjtë zyrtar i ka dërguar edhe Ministrisë së Mbrojtjes.

“Në interpretimin tim nuk ka pengesë ligjore për dekretimin tim nga ana Juaj, por mirëpres cafrëdolloj akti administrativ nga ana Juaj apo e cdo organi përgjegjës të parashikuar në ligj, që do të qartësonte dhe do të vendoste pa asnjë keqkuptim se nuk jam ushtarak aktiv, por i liruar nga shërbimi aktiv ushtarak, me qëllim që të përmbushet funksioni i rëndësishëm kushtetues i emërimit të ministrit të Brendshëm’ -shkruan Lleshi.

Pavarësisht letërkëmbimit, pikëpyetjeve të ngritura nga kreu i shtetit dhe sqarimet e pretendimet e kreut të qeverisë, për të mësduar mbi vendimin e Presidentit për të dekretuar Sandër Lleshin si ministër te Brendshëm duhet të presim. Kreu i shteit kthehet në atdhe të mërkurën nga vizita në Francë, ndërkohë që afati kushtetues përfundon të premten.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb