TIRANE

“Konflikti Presidencë-Kryeministri është ‘tavëll turke’. Rama nuk luan shah të mirë, por është lojtari më i mirë i politikës. Rama është njeriu më i ‘fortë’ politik në vend. Ai e përzien shahun me basketbollin”.

Kështu deklaroi analisti Shpëtim Nazarko i ftuar sot në emisionin ‘Dritare me Rudinën’ në “News24”. Teksa u ndal tek debati i krijuar me Ramën pas refuzimit të dekretimit nga Meta të emrit të Sandër Lleshit në postin e Ministrin të Brendshëm, Nazarko tha se kjo nuk i ngjan një loje shahu, por asaj të një ‘tavlle turke’.

Ndërkohë, deputetja e PD-së Dhurata Çupi e cilësoi situatën e krijuar si një ‘lojë mes shokësh’ dhe jo lojë shahu.

“Sot ka një Ministri të Brendshme pa ministër, dhe dy ministra që u detyruan të largohen. Jemi në një gjendje kritike ku bandat dhe krimi ka mbuluar vendin. Ky ishte mesazhi që duhet të ndante Rama. Kjo duket si një lojë shokësh. Shahu nuk është ekskluzivitet i kësaj qeverie. Shahu është një lojë elitare”, tha Çupi.

Gazetari Aristir Lumnezi tha një arsye sipas tij përse Presidenti nuk e dekretoi Lleshin. “Me sa di Meta ka kërkuar që ministri të jetë diçka më politik”, u shpreh ai.

Kujtojmë se sot Kuvendi emëroi zyrtarisht në postin e zv/ministrit të Brendshëm Sandër Lleshin, por ai do të ushtrojë kompetencat e ministrit, pas dorëheqjes së Fatmir Xhafajt.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb