TIRANË- Nazmi Cahani, Vladimir Avdiaj dhe Dedë Prenga, janë tre gjeneralët e rinj të Forcave të Armatosura që dekretuan disa ditë më parë nga presidenti Bujar Nishani. Me këtë rast, në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes, u zhvillua një ceremoni festive ku ishin të pranishëm Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, Shefi i Shtabit të përgjithshëm të FA-ve,  Gjeneral Major, Jeronim Bazo, gjeneralë, kolonelë dhe familjarë.

Duke iu referuar marrjes së gradës madhore, ministrja Kodheli u shpreh e bindur se, ky është vetëm fillimi i një procesi shumë të rëndësishëm, jo vetëm në planin personal, por edhe në lidershipin e FA-ve. “Mirësevini tek lidershipi më i lartë i FA! Unë jam e bindur që, ylli që mbani sot si Gjeneral, do t’ju mbushë më shumë me përgjegjësi dhe pa as më të voglin dyshim, kam bindjen që, ky është fillimi i një suksesi të mëtejshëm, jo vetëm në karrierën tuaj, por dhe lidershipit tuaj në të ardhmen, gjë të cilën e keni treguar më parë dhe pa e pasur këtë yll plotësisht të merituar”, theksoi Ministrja.

Kodheli shprehu bindjen se, klasës më të mirë dhe lidershipit të FA-ve, jo vetëm i shtohen 3 Gjeneral Brigade, por tashmë, “duhet të vazhdojmë në rrugën që kemi nisur në modernizmin e FA, për çuarjen përpara të kësaj force të nderuar të respektuar, kësaj shtrese ndofta nga më të mirat të shoqërisë shqiptare, duke përmbushur kështu një detyrim që kemi ndaj popullit, ligjeve, shoqërisë pse jo dhe politikës”.

Për Gjeneral Brigade, Nazmi Çahani, kjo gradë, nuk do të ishte e mundur, pa kontributin e çmuar të gjithë bashkëpunëtorëve dhe të familjes, për mbështetjen e padiskutuar që i kanë dhënë. Gjeneral Brigade Vladimir Avdiaj tha se “Ndjehemi të vlerësuar por edhe të obliguar për investimin e bërë nga taksapaguesit shqiptarë, por edhe taksapaguesit e vendeve aleatë dhe SHBA-ve”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: