KORCE

Ish presidenti, Alfred Moisiu ka komentuar mos dekretimin e Sandër Lleshit si ministër i Brendshëm nga presidenti i Republikës Ilir Meta si dhe kërkesën e dytë të Ramës që presidenti të reflektojë dhe dekretojë Lleshin.

Në një prononcim për mediat nga qyteti i Korçës, Moisu tha se  kësaj here mendon se presidenti Meta do t’i thotë “Po” Sandër Lleshit duke e dekretuar si ministër të Brendshëm.

“Mendoj që kësaj here presidenti ka pasur kohë për ta verifikuar. Ka pasur kohë për të reflektuar mbi të gjitha zhvillimet që kanë ndodhur sepse mesa duket procedurat kane pasur defektet e tyre siç duket dhe tani çdo gjë po shkon ne vendin e vet”-tha Alfred Moisiu nga Korça, aty ku po merr pjesë në  një aktivitet me rastin e 100 vjetorit të armëpushimit të Luftës së Parë Botërore.

I pyetur nëse presidenti Meta ka shkelur Kushtetutën, Moisiu u shpreh se presidenti i Republikës nuk është vetëm një noter.

Deklarata e Moisiut para gazetarëve:

Çfarë mendoni se do të bëjë Meta me dekretin e dërguar sërish nga qeveria për Lleshin? 

Mendoj se Presidenti do ta kalojë këtë dekret.

Pse mendoni se “po” kësaj here?

Mendoj që kësaj here presidenti ka pasur kohë për ta verifikuar.

Herën e parë se kishte kohën apo ishte precedent?

Ka pasur kohë për të reflektuar mbi të gjitha zhvillimet që kanë ndodhur

E ka shkelur Kushtetutën Meta herën e parë?

Unë e kam deklaruar edhe më herët se presidenti nuk është noter, por këto probleme zgjidhen me diskutime, mes presidentit dhe kryeministrit. Kushtetuta i jep të drejtë Presidentit të shqyrtojë. Unë kam patur dy raste, një rast me Nanon kryeministër dhe një rast me Berishën, për dy ministra. Më sqaroi Nano, po ashtu edhe Berisha për një ministër, më dha informacion.

Ju mendoni se Rama-Meta kanë sqaruar gjithçka dhe pritet vetëm firma e Presidentit?

Tani, kjo është e mira e vendit. Në fund të fundit, presidenti është përfaqësues i dinjitetit kombëtar.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb