Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla e ka quajtur antikushtetues vendimin e Presidentit Ilir Meta për dekretimin e Marsida Xhaferllarit anëtare të Gjykatës Kushtetuese.

Në një intervistë në edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus, Balla deklaroi se Presidenti Ilir Meta sot mund të dekretonte në këtë post edhe Enkelejd Alibeajn, bashkëjetuesin e Marsida Xhaferllarit.

“Presidenti Meta mund të dekretonte edhe Enkelejd Alibeajn sot, sepse është po aq e pavlefshme sa edhe dekretimi i bashkëjetueses së Alibeajt. Unë e kam thënë dy ditë më parë në seancën e Kuvendit që Presidenti Meta nuk ka asnjë bazë Kushtetuese në vendimarrjen e sotme. Meta ka pasur mundësinë të zgjedhi një prej tre kandidatëve të renditur të parët. Nuk e ushtroi këtë të drejtë brenda 30 ditëve. Afati kushtetues i Metës për ta dekretuar ka qenë 7 nëntori. Presidenti Ilir Meta e ka ezauruar të drejtën për të zgjedhur në këtë rast, sepse KED pas përfundimit të afatit 30 ditë ka emëruar atë që është renditur e para në listë. Nuk ka asnjë dallim nga qasja e Ilir Metës edhe ëpr ç’dekretimin e 30 qershorit. Ilir Meta mund të dekretoj anëtarë të Gjykatës Kushtetuese Sali Berishën, por ai është ai është anëtar I Gjykatës Kushtetuese për Ilir Metën, por nuk mund të jetë për Kushtetutën e vendit dhe për institucionin e Gjykatës Kushtetuese në këtë vend”, tha Balla.

Duke e cilësuar si jolegjitime zgjedhjen e Xhafellarit, Balla e akuzoi Presidentin Meta si një nga kundështarët e paepur të reformës në drejtësi.

“Gjykata Kushtetuese do të ndërtohet. Ju thatë këtu para pak minutash që reforma në drejtësi po kalon në shtigje të vështira. Është e vërtetë. Reforma në Drejtësi në Shqipëri prej vitesh ka pasur disa kundështarë ndër të cilët një ndër më të spikaturit mbetet z. Ilir Meta. Si kundështar i paepur i implementimit të plotë të Reformës në Drejtësi. Nuk ka asnjë diskutim për këtë çështje. Ajo që dua të them është se Kuvendi i Shqipërisë ka qenë modeli edhe në seancën e ditës së hënë i një procesi tejet të rregullt brenda 30 diteve”, deklaroi Balla.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: