Nga: XHEVAT MUSTAFA*
Në Shqipërinë e këtyre viteve të fundit, nëpërmjet mediave apo syve e veshëve personalë bombardohesh dhe lemerisesh gjatë 365 ditëve dhe 24 orëve nga njoftimet për akte të suksesshme apo për tentativa të dështuara shpërthimesh me tritol; për vrasje për hakmarrje, pa apo me pagesa qindra-mijëra euro; për farsa skandaloze hetimesh e procesesh gjyqësore, në të cilat faktet janë me bollëk e fajtorët shpallen të pafajshëm, ose ku firmat e falsifikuara e mashtruesit tepër bujarë për zarfe të rënda e pasuri të patundshme rrëmbejnë çfarë dëshirojnë etj. Këto e plot të tjera, shprehin lakuriqësinë e pafuqisë, nënshtrimit apo varësisë së institucioneve të prokurorisë e të drejtësisë jo vetëm nga përfitimet e shumta vetjake, por edhe nga bosët e politikës e të qeverisë. Edhe pse korrupsioni dhe ortakëria me bosë të krimit të organizuar e ordiner e jo pak qeveritarëve të lartë qendrorë dhe lokalë është lakuriqësuar prej kohësh së tepërmi nëpër ministri, prefektura, bashki, gjykata, prokurori, dogana…, përsëri qeveria nuk e sheh atë atje ku bën mu apo ligjin. Në të kundërt, kur në mes të Tiranës, më 24 mars, komisioneri i BE-së, Johannes Hahn deklaronte se “forcimi i pavarësisë, përgjegjshmërisë dhe efikasitetit të sistemit gjyqësor është thelbësor për një shtet ligjor të fortë dhe veçanërisht për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit…” dhe kërkoi goditjen e të korruptuarve edhe në majën e kupolave qeverisëse dhe shtetërore, ku realisht janë me bollëk, dy shefat e koalicionit qeverisës vazhduan avazin e tyre apo farsën e re. Fjala është për ndëshkimin “shembullor”, për të e për të tjerët, të Tom Doshit, me akuzën për “deklarata të rreme”.
Kjo akuzë nuk e fsheh as me të gjitha gjethet e një fiku të madh lakuriqësinë e “kryqëzimit” të Tom Doshit për “marrëzinë” që guxoi t’i kundërvihej dy kryetarëve. Edhe sipas këtij rasti apo mesazhit që përcjell ai, ata janë “monumente kulture që mbrohen nga shteti”, edhe më shumë e më mirë se monumentet e vërteta të kulturës sonë kombëtare. Ndëshkimi i Tom Doshit shpreh njëkohësisht të paktën katër mesazhe. Së pari, se kushton e paguhet shumë shtrenjtë mosbindja dhe kundërvënia ndaj Edi Ramës, Ilir Metës, Saimir Tahirit…. Së dyti, “harresën” apo frikën rreth 20-vjeçare nga ana e institucionit të prokurorisë për ta ngritur vështrimin lart, për të hetuar me guxim, përgjegjshmëri e pavarësi, se si janë siguruar pasuritë marramendëse, sarajet dhe pallatet e shumta 10-20 katëshe nga pashallarët e demokracisë apo bosët e politikës, të qeverisjeve e të bizneseve. Së treti, synimin dhe dëshirën e lidershipit politik qeverisës për ta mashtruar BE-në. Kur Brukseli kërkon dhe pret që Shqipëria të ndjekë shembullin e Kroacisë, Rumanisë etj., që kanë penalizuar deri kryeministra e ministra, Tirana prangos dy të pretenduar si “mashtrues”. Dhe e bën këtë me turravrap e me një dosje, që sipas specialistëve ka plot boshllëqe dhe naivitete ligjore e profesionale, të cilat do t’ia bëjnë fare të lehtë punën gjykatës për t’i shkaktuar prokurorisë dështimin apo turpërimin e radhës. Siç e shprehu sinqerisht deputeti socialist Taulant Balla, në emisionin “Opinion” më dt. 26 mars, shumica dhe qeveria e saj, qenkan ndjerë të gëzuar e të lumtur para shqiptarëve dhe BE-së se lejuan arrestimin e dy shokëve deputetë?! Kjo mund të përkthehet edhe si përpjekje e trashë për t’ua servirur SHBA-ve dhe BE-së arrestimin e dy deputetëve edhe në kuadër të “dekriminalizimit” e si fitore e re kundër krimit. Kështu lihet të nënkuptohet apo kuptohet qartazi edhe mesazhi i katërt që ky precedent shpreh shumë më tepër vazhdimësinë e strategjisë dhe të mentalitetit për autoritarizëm apo putinizim të kryetarëve e për kukullizim të bashkëpunëtorëve të tyre. Për fatin tonë të keq, realiteti ynë ka shprehur jo në pak raste, se zyrtarë të lartë e të mesëm në institucione të qeverisë e të shtetit, të drejtësisë e të prokurorisë etj., gjatë këtyre viteve të fundit janë ndjerë jo rrallë duarlidhur apo gojëkyçur para disa bosëve të krimit të organizuar, duke lejuar të mos përjashtohen edhe dyshimet për ortakëri e klientelizëm. Sipas fakteve të publikuara gjatë këtyre dy viteve të fundit, del qartësisht apo akoma mjegullt se disa prej njerëzve me dosje të pasura e të hapura kriminale, falë mbështetjes jo thjesht për interesa partiake e elektorale nga shefa të partive e të politikës, kanë arritur të bëhen deputetë e pushtetarë të lartë në qeverisjen lokale. Apo që t’i komandojnë vartësit e tyre edhe me celularë nga qelitë e burgjeve, të quajtur apo të pretenduar si të sigurisë së lartë si dhe të përdorin ushtarakë me grada jo të ulëta, për të transportuar sasi të mëdha droge me vetura e avionë. Të tjerë si Durim Bami e Fation Skënderaj, edhe pse me dyshime të forta për autorësi, bashkëpunim apo dijeni në krime të vjetra e të freskëta fare, hyjnë, priten dhe dalin pa pranga nga zyrat e shtetit, ku kanë takuar zyrtarë të lartë të policisë dhe disa prokurorë të lartë… Kjo panoramë e përditshme shpreh njëkohësisht edhe të ndjerit e të qenit të qytetarit të qeverisur apo të kërcënuar nga individë të kriminalizuar me mandate shtetërore e qeveritare dhe me kostume e kravata firmato. Apo edhe nga ata me vetura të blinduara, me motoçikleta me çmime veturash, me kaska, silenciatorë, kallashnikovë, tritol, që masakrojnë edhe në mes të qyteteve e të ditës dhe nuk ndeshin asnjë polic apo postë policore rrugës së largimit nga vendi i krimit, si p.sh., në rastin e vrasjes së bankierit Artan Santo…E megjithatë, me optimizmin apo euforinë e tyre mbështetur më shumë në rërë, kryeministri Edi Rama dhe vartësit e tij, Saimir Tahiri e Artan Didi, nuk ngurojnë të mburren se “krimi është mbrapsur para policisë”, se “Shqipëria po rilind”, se “në vjeshtë i përmbushim prioritetet”… Nga sa po ndodh e po shprehet në Shqipërinë e sotme, del vetvetiu apo lakuriq edhe konkluzioni se kryetarët, në çaste dehjeje nga pushtetet apo pas ndëshkimeve që u japin me vula të prokurorisë apo gjykatave atyre që guxojnë t’u kundërvihen me fjalë apo veprime, mund të mendojnë në vetvete apo në biseda imtime me njëri-tjetrin se “shteti jam unë”, “partia jam unë”, “perëndia për shqiptarët jam unë”…Me ato që kanë bërë e arritur, kanë jo pak arsye të mburren edhe se “unë të bëj politikan, deputet, ministër, gjeneral, ambasador, multimilioner, por po unë të bëj edhe ish apo pensionist të parakohshëm, mashtrues, të falimentuar, të çmendur, të harruar…Nëse guxon të harrosh bindje të plotë e mirënjohje të vazhdueshme, nëse marrosesh sa të thuash, qoftë edhe jo në praninë time, “Jo”, “Ky është gabim”, “Kjo nuk është e drejtë”…, unë t’i hedh në koshin e plehrave merita dhe kontribute për partinë dhe qeverinë; milionat e sponsorizuara për fushata zgjedhore, dreka e darka “mbretërore” apo për skenarë anti-PD; të rrënoj politikisht, financiarisht, psikologjikisht e familjarisht…Bosët e politikës e të qeverisjes mund të kenë edhe momente euforie, ekstaze apo sinqeriteti sa të japin të kuptohet mesazhi se “unë të vras” natën me hënë e yje e ditën me diell e nuk të qaj aspak, por përkundrazi, të tall juridikisht e publikisht gjatë 24 orëve, pa ndjerë keqardhje se kemi qenë shokë për shumë vjet, se kemi ngrënë e pirë shumë herë në tavolina, ku kemi bërë edhe jo pak pazare, skenarë e “mëkate”…. Nga veprime e mosveprime të shumta e të shpeshta, të publikuara apo të “censuruara” të shefave të politikës, të shtetit e të pushtetit, shtyhesh po prej atyre vetë të mendosh se i kanë me bollëk “arsyet”, “argumentet” dhe privilegjet, që të ndihen të plotfuqishëm e të pamëshirshëm si Zeusë e faraonë, si carë e sulltanë, apo më konkretisht, si Hitleri e Stalini, Mao Ce Duni e Enver Hoxha, Putini e Erdogani…

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: