ELBASAN- Partia Socialiste ka mbledhur strukturat në e qarkun e Elbasanit. I pranishëm në mbledhje ka qenë kryetari i grupit parlamentar Gramoz Ruci dhe koordinatori i Elbasanit dhe Korçës, deputeti Taulant Balla. Mbledhja e strukturave të PS-së është zhvilluar me dyer te mbyllura.

Mësohet se gjatë këtij takimi deputeti Balla ka deklaruar gjatë kësaj mbledhjeje se së shpejti Shqipëria do të ketë një ligj që do të pengojë angazhimin në poste drejtuese të personave me rekorde kriminale.

“Takimi me strukturat e PS-së ka të bëjë me komunikimin tonë me qytetarin. Ne jemi pranë njerëzve jo vetëm për fushata zgjedhore. PS është në një proces ristrukturimi dhe ftoj çdo të ri të bëhet pjesë e partisë më të madhe në vend”, tha Balla. Në lidhje me procesin e dekriminalizimit Balla tha se së shpejti Shqipëria do të ketë një ligj që do të pengojë angazhimin në poste të larta drejtuese të personave me rekorde kriminale.

Ndërsa kreu i Grupit Parlamentar të PS, Gramoz Ruçi tha se takimi me strukturat e PS-së është në kuadër të ristrukturimit dhe përgatitjes për zgjedhjet e ardhshme në parti. Gjithashtu Ruçi vlerësoi dorëzimin e mandatit nga ana e deputetit Arben Ndoka duke theksuar se ky vendim i shërben jo vetëm atij por edhe Partisë.

“Vlerësoj dorëheqjen e deputetit Ndoka. Vendimi i tij i shërben jo vetëm atij por edhe partisë. Z. Ndoka le të vazhdojë betejën e tij ligjore. Në lidhje me z. Prenga Partia Socialiste e dha vendimin e saj dhe tashmë të gjithë duhet të heshtim, dhe të flasë drejtësia. Procesi i dekriminalizimit po përdoret për kredo politike. Komisioni që drejtohet nga opozita nuk ka sjellë asnjë draft çka do të thotë që deklarata në lidhje me këtë çështje bëhen thjesht për të rritur kredot politike”, deklaroi Ruçi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb